Pamje ku Endrit Shala godet gazetarin

Të martën mbrëma një gazetar raportoi në polici se ishte sulmuar nga Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Gazetari i portalit “IndeksOnline”, Ensar Ramadani për KALLXO.com kishte rrëfyer se deri sa ishte duke përcjellë një rast të plagosjes në QKUK, ishte sulmuar fizikisht nga ana e ministrit në detyrë, Shala pasi që gazetari e kishte fotografuar.

Dje KALLXO.com, ekskluzivisht solli edhe sqarimin e ministrit Shala për gjithë ngjarjen. Ai vazhdimisht kishte mohuar se kishte sulmuar gazetarin.

“Po të betohem, që nuk e kam sulmuar ka qenë konflikt verbal, më shumë ka qenë keqkuptim që ka ndodh mes meje dhe tij sepse nuk e kam ditë që është gazetar”, ishte njëra nga përgjigjet e Shalës për KALLXO.com kur u pyet për rastin.

Por pamjet e siguruara nga KALLXO.com, tregojnë qartë për sulmin fizik të Endrit Shalës ndaj gazetarit Ramadani.

Në pamjet ekskluzive mund të shihni se si rrjedh ngjarja. Ensar Ramadani deri sa priste para Emergjencës në QKUK, sheh ministrin Endrit Shala deri sa vjen në po të njëjtin vend për shkak se i plagosuri ishte i afërm i tij.

Pasi e kishte parë se ishte fotografuar, Shala i ishte drejtuar menjëherë gazetarit duke i rënë shuplakë fytyrës.

Gjithashtu në pamje mund të shihni se janë dy zyrtarë policor, njëri nga i cili nuk ndërmerr asnjë veprim e tjetri që mundohet të qetësoj ministrin duke e larguar nga aty.

KALLXO.com që nga dita e martë ka raportuar në lidhje me rastin e sulmit fizik të ministrit Shala ndaj gazetarit Ensar Ramadani.

Në lidhje me këtë rast, Prokurori Besim Kelmendi i cili është Koordinator në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për çështjet e sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve.

Ai kishte thënë për KALLXO.com se kishte nisur hetimet ndërsa vetëm që nga dita e martë, Endrit Shala dje është intervistuar nga policia.

Video: Endrit Shala e quan verbal sulmin ndaj gazetarit

Rrëfimi i gazetarit që thotë se u sulmua nga ministri Endrit Shala

Prokuroria nis hetimin për sulmin e raportuar ndaj gazetarit nga ministri Endrit Shala

.