Pamje ekskluzive të arrestimeve të para në Karaçevë
Pas më shumë se 12 muajsh hetime për të identifikuar rrjetin i cili funksiononte në zonën e Karaçevës, i cili organizoi e zhvilloi lojëra të fatit brenda objekteve të cilat ishin ndërtuar në kohë rekorde, përfundoi me 13 objekte të rrënuara, mbi 50 të arrestuar ,ndër ta edhe 12 zyrtarë policorë të Departamentit të kufirit.
Sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua pjesa e dytë e aksionit në fshatin Karaçevë, pak metra larg vijës kufitare që ndanë Kosovën dhe Serbinë.
18 shtatori ishte vendosur data ku do të kishte ndërhyrje në zonën e cila konsiderohej e paprekshme nga ana e institucioneve kosovare.
Nën drejtimin e prokurores së Gjilanit, Rozelida Manastiri dhe në bashkëpunim të Inspektoratit Policor, qindra zyrtarë policorë ishin thirrur për të ndërhyrë në fshatin Karaçevë ku dyshohej se po organizoheshin lojërat e fatit.
Njësia Speciale për Intervenim ishin të parët të cilët ishin vendosur në lokacione të caktuara përreth fshatit Karaçevë e të cilët mbikëqyrnin zonën e cila pritej të bastisej nga njësitet tjera policore të cilat ishin thirrur në rast.
Pak para orës 21, mbrëmjen e 18 shtatorit ekipet policore kryen edhe arrestimet e para. Ata të cilët u zunë brenda ose jashtë kazinove ku zhvillohej bixhozi.
Të ndarë në disa lokacione, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, arrestuan edhe zyrtarët e parë policor.
Të njëjtit po dyshoheshin se kishin mundësuar dhe u kishin siguruar terren të sigurtë, disa qytetarëve të Komunës së Kamenicës për të zhvilluar kontrabandën me kafshë, të cilat u sollën nga Serbia përmes rrugëve ileagle të fshatit Karaçevë e ku destinacion kishin mishtoret dhe fabrikat e mishit në disa qytete në Kosovë.
Në emisionin e sotëm u transmetuan ekskluzivisht momentet e arrestimit të cilat u kryen gjatë aksionit në Karaçevë.
Rrezikshmëria e aksionit, konsiderohej e lartë. Ekipet policore rreth orës 20:20 u nisën drejt lokacioneve të dyshuara nën drejtimin e prokurores Rozelida Manastiri, Shefit të Divizionit për hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit brenda IPK-së, Bardhyl Haxhimustafa si dhe Majorit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Prishtinë, Zejnullah Surdullit.
Në fillim të aksionit u kryen edhe arrestimet e para, disa qytetar e disa zyrtarë policor u arrestuan nga zyrtarët policorë dhe hetues të IPK-së.
Aksioni i zhvilluar në fshatin Karaçevë, vuri në pranga mbi 50 persona, 12 nga ta zyrtar policor, ndërsa u sekuestruan disa kafshë e madje u rrënuan edhe 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.