Pamje ekskluzive - Policia largon kamerat ilegale në Shtërpcë

Kallxo.com ju sjellë pamjet ekskluzive nga aksioni i sotëm i Policisë në komunën e Shtërpcës.

Aksioni i cili nisi herët në mëngjes është duke vazhduar në disa lokacione dhe siç shihet në pamjet e siguruara nga KALLXO.com janë duke u larguar kamerat ilegale të vendosura në disa lokacioni brenda qytetit të Shtërpcës.

Që nga mëngjesi i hershëm Policia është duke e zbatuar urdhërin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar prokurori Rasim Maloku.

“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar  me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, theksoi Maloku, duke shtuar se sot janë duke u bastisur 4 lokacione.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, tha Maloku për KALLXO.com.

Aksion i gjerë i policisë në Shtërpcë – FOTO