Pamje ekskluzive nga djegia e kamionëve në veri

Disa kamionë që ishin vendosur në barrikada në vendin e quajtur ‘Kërshi i Dudës’ janë djegur mbrëmë gjatë natës.

KALLXO.com ka siguruar pamje ekskluzive nga djegia e kamionëve në Zveçan.

Në pamje shihen këto mjete të rënda të përfshira nga zjarri.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.

Policia ka thënë se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime dhe rasti është duke u hetuar.

Ndërsa, barrikadat e vendosura në rrugët që të çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të qëndrojnë aty.

Ndonëse u tha se largimi i barrikadave do të fillojë sot në mëngjes, diçka e tillë nuk është parë ende.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në veri të vendit ku është parë që nuk ka ndonjë intervenim për largimin të barrikadave.

Barrikadat që janë vendosur në fshatin Zupç të Zubin Potokut nuk janë larguar ende.

Edhe Zupçi i Zubin Potokut ende i barrikaduar

Po ashtu, kamionët që bllokuan lidhjen në mes Lagjes së Boshnjakëve me qytetin e veriut të Mitrovicës u panë se ende janë aty.

Lëvizje për largimin e tyre nuk po shihen as në Rudarë, ku edhe po qëndron ekipi i KALLXO.com.

Ende nuk ka lëvizje për largimin e barrikadave në Rudarë (FOTO)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova që e mbajti mbrëmë në Rashkë, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat” – ishte shprehur Vuçiq pak para se të bëhej mesnatë.

Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Në takim, presidenti serb tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.