Ilustrim

Pamje ekskluzive nga arrestimet e drejtorëve të komunave të Dukagjinit

Katër drejtorë të Urbanizimit të komunave të rajonit të Dukagjinit u arrestuan ditë më parë në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën e tyre gjatë këtij mandati.

Emisioni ‘Kallxo Përnime’ po shfaq pamje ekskluzive të arrestimit të Rajan Arapit, drejtor i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melajt, drejtor i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakajt, drejtor i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marlekut, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Ndonjëri prej katër drejtorëve përpos për keqpërdorime po dyshohet edhe për konflikt të interesit.

Për këto dyshime deri me tani me vendim të Prokurorisë së Pejës në burg po mbahen gjithsej 10 zyrtarë.

Për arrestimin e tyre u realizua një aksion gjigant nga ana e Policisë, me ç’rast u konfiskuan kompjuterë, telefonë, dosje të lëndëve dhe dokumente tjera që lidhen me ndërtime pa leje ose mbindërtime pa leje.

Ndërsa, më 17 korrik, të ndarë në katër grupe, nën menaxhimin e dy gjyqtarëve dhe praninë e katër prokurorëve, dhjetë zyrtarët e urbanizmit të komunave të rajonit të Dukagjinit janë nxjerrë para gjykatës.

Ndaj tyre prokurorët e Pejës kërkuan caktimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se ekziston dyshimi se kanë keqpërdorur detyrën dhe mund të manipulojnë me prova apo të vazhdojnë t’i kryejnë veprat e njëjta për të cilat dyshohen.

Kërkesa e Prokurorisë u kundërshtua nga të gjithë avokatët mbrojtës, të cilët kërkuan nga Gjykata që të caktojë masa të tjera më të buta.