Pamje nga Dabishevci Ferma e pulave shndërrohet në laborator të drogës

 

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe shfaqi pamjet ekskluzive të zbulimit të laboratorit të drogës në kuadër të rubrikës “Policia”.

Njësiti antidrogë i Policisë së Kosovës zbuloi një laborator të drogës në fshatin Dabishevc, fshat në afërsi të zonës kufitare Kosovë – Serbi.

 

Laboratori i drogës siç tregojnë filmimet ekskluzive ishte kamufluar brenda një ferme të pulave.

“Me të arritur në vendin e ngjarjes kemi kuptuar që laboratori ka qenë në fazën finale për fillimin e kultivimit të bimëve narkotike”, tregon hetuesi i policisë.

“Këtu siç shihet është pjesa kryesore ku edhe ka pasur të kultivuara bimë narkotike. Shihet se mënyra e rregullimit të ndriçimit dhe ajrosjes dhe me energji elektrike është bërë në mënyrë shumë profesionale”, tregon hetuesi antidrogë i Policisë së Kosovës.

“Në kushtet se si është i rregulluar, si është modifikuar ky laborator një bimë e narkotikut në këtë vazo do të prodhonte 1 kg marihuanë”, thotë hetuesi i Policisë.

Policia zbulon se pjesa e objekti ku ishte krijuar laboratori për rritjen dhe kultivimin e marihuanës ishte objekt i dedikuar për fermë të pulave.

“Pjesa e parë këtu shihet se është pjesë e rritjes së pulave. Ndërsa pjesa tjetër prapa është laboratori për kultivimin e narkotikëve”, tregon hetuesi i Policisë.