
Ilustrim
Pamje ekskluzive: Arrestimi i komandantit të Policisë për fajde - LIVE
Një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës ka përfunduar në pranga pasi u kap në flagrancë duke pranuar para të fajdeve.
KALLXO.com sjell pamjet ekskluzive kur Inspektorati Policor i Kosovës së bashku me Prokurorinë e Ferizajt kanë zhvilluar hetimet e më pastaj edhe arrestimin e të dyshuarit K.K,, komandant i Policisë.
Ai së bashku me të dyshuarin tjetër F.R. do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë.
Sipas Gjykatës së Ferizajt dy të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim pasi është e vetmja mënyrë e cila mund ta sigurojë mbarëvajtjen e procedurës penale ndaj tyre.
Gjykata e Ferizajt në arsyetimin e masës së paraburgimit ka shkruar se në rast se ata lihen në liri mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe mund ta përsërisin veprën penale të fajdesë.
Masë më e butë i është shqiptuar të dyshuarit tjetër B. R. Atij i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.
Zyrtari policor K.K. dyshohet se ka dhënë 20 mijë euro fajde dhe nga to ka përfituar mbi 17 mijë euro.
Sipas Prokurorisë fajdeja me kamatë prej 3 % është dhënë nga zyrtari policor gjatë vitit 2017 dhe në emër të saj i dëmtuari ka pasur për obligim të paguaj prej 600 deri në 800 euro në muaj.
I dyshuari tjetër F.R. dyshohet se i ka dhënë një qytetari 22 mijë euro para me fajde dhe nga to ka përfituar 24,300.00 euro si dhe e ka obliguar të dëmtuarin për pagesën e 22 mijë eurove të marra me fajde.
Përpos 22 mijë eurove F.R. dyshohet edhe se ia ka dhënë një personi tjetër një shumë prej 7 mijë euro me fajde, duke përfituar nga kjo shumë 3,500 euro, si dhe duke e obliguar të dëmtuarin edhe për 7 mijë eurot e marra në fillim.
Ndërsa të dyshuarit tjetër B.R., Gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Dy ditë më parë KALLXO.com raportoi se zyrtari policor K.K. në gradën e kapitenit është kapur në flagrancë me fajde.
Ai ishte arrestuar pasditen e 16 shkurtit nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas informacioneve hetimi në këtë rast kishte filluar rreth një vit më parë, kurse si të dyshuar janë të përfshirë edhe disa qytetarë.