Pamje - Disa fshatra të Drenasit rrezikohen nga shtyllat elektrike

Banorët e disa lagjeve në fshatrat Kishnarekë dhe Llapushnik të Komunës së Drenasit po rrezikohen nga shtyllat e energjisë elektrike.

Pas reshjeve të dendura të borës gjatë mbrëmjes së kaluar, janë rrëzuar shtyllat elektrike të drurit që gjenden në afërsi të vendbanimeve të qytetarëve.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se në rrugën “Beqir Bajraktari” në fshatin Kishnarekë të Drenasit, shtylla elektrike rrezikon të rrëzohet në rrugën kryesore të lagjes.

Sipas tij, edhe telat janë varur e kjo po paraqet rrezik për kalimtarët.

Rruga “Beqir Bajraktari” – Kishnarekë
Rruga “Beqir Bajraktari” – Kishnarekë

Gjithashtu edhe disa lagje të fshatit Llapushnik po përballen me problemin e njëjtë.

Në lagjen ‘Hajdaraj’ në këtë fshat, përkatësisht në rrugë ‘Zeqir Bajrami’ është rrëzuar një shtyllë në oborrin e shtëpive.

Banorët kërkojnë intervenim nga ekipet e KEDS-it, pasi që ndjehen të rrezikuar.

Lagjja ‘Hajdaraj’ në fshatin Llapushnik

 

Lagjja ‘Hajdaraj’ në fshatin Llapushnik

 

Njëjtë ka ndodhur edhe në rrugën ‘Beteja e Llapushnikut’, përkatësisht në lagjen ‘Musaj’ të këtij fshati.

Banorët thonë se rastin e kanë lajmëruar në KEDS, por që askush nuk iu ka shkuar për ndihmë.

 

Lagjja “Musaj” Llapushnik

Po ashtu edhe një banor tjetër i po këtij fshati ka deklaruar për KALLXO.com se në lagjen ‘Tahiraj’, tashmë dy vjet shtyllat eletrike rrezikojnë të rrëzohen.

“Që 2 vjet është e thyer ajo shtyllë, po veç po vinë e kqyrin KEDS-i edhe shkojnë”, u shpreh qytetari.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhalën.

Ai ka thënë se gjatë gjithë kohës mbi 550 punëtorë të KEDS-it janë vazhdimisht në teren që nga dita e djeshme, duke mos iu adresuar këtyre rasteve direkt.

“Në kushte të vështira atmosferike, gjatë gjithë kohës mbi 550 punëtorë të KEDS-it janë vazhdimisht në terren që nga dita e djeshme. Ata po e sfidojnë të ftohtin, borën dhe erërat e forta me misonin e vetëm që të sjellin energjinë elektrike për konsumatorët anëkend Kosovës”, tha Buzhala.

“Nga terrenet fushore, deri në bjeshkë, ata gjatë gjithë kohës janë në terren duke ndërruar shtylla, përcues dhe pajisje tjera përcjellëse të rrjetit, të dëmtuara nga erërat që po shkojnë deri në 100 kilometra në orë. Rrjeti po goditet edhe nga faktorët tjerë ekstern si nga copëza të kulmeve, drunj të thyer e gjesënde tjera që kanë vështirësuar funksionimin dhe punën e tyre. Por, kjo nuk po i ndal. Falë punës së palodhshme të tyre, numri i prishjeve është përgjysmuar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, mbrëmë u njoftua se mbi 100,000 banorë të Kosovës kishin mbetur pa energji elektrike si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.

KEDS-it i duhen edhe 5 vjet për t`i ndërruar shtyllat që janë në gjendje të rëndë