FOTO - Klinika e Pulmologjisë - QKUK

Pamje - Bërlloku në Klinikën e Pulmologjisë, aty ku trajtohen pacientë me COVID-19

Pacientët të cilët vijnë nga kati i dytë në katin e parë në Klinikën e Pulmologjisë janë të shoqëruar me një pamje të shëmtuar. Ballkoni në katin e dytë në këtë klinikë është i mbushur me bërllok.

KALLXO.com ka siguruar një video nga ky ballkon ku shihen qartë papastërtitë në këtë pjesë.

Mbeturinat në Pulmologji janë bërë ‘të pashmangshme’, pamje të tilla janë parë edhe në njërën nga banjot e kësaj klinike për të cilat ka raportuar KALLXO.com.

Gjithashtu në këtë klinikë përveç mbeturinave është parë edhe mungesa e detergjentëve dhe letrave higjienike nëpër banjo.

Qytetarët të cilët shoqërojnë familjarët e tyre në këtë klinikë janë shprehur se trajtimi është i mirë nga stafi shëndetësorë, por papastërtitë po u pengojnë më së shumti.

Deri më sot 9,688 qytetarë të Kosovës janë infektuar me COVID-19 që nga muaji mars, 5,480 prej tyre janë shëruar dhe 300 të tjerë kanë vdekur.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.