Pamje - Bastisje për drogë në Gjakovë e Deçan, shtatë persona të arrestuar

Rreth 180 bime narkotike janë asgjësuar sot në fshatin Maznik të Deçanit në një aksion të gjerë anti-drogë që është duke u zhvilluar në zonën e Dukagjinit.

Ekipet e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në dy lokacione janë gjetur bimë narkotikë duke u terur.

Në një lokacion tjetër të bastisur është gjetur edhe një thes me substancë të gatshme për treg të marihuanës.

Siç raporton ekipi i KALLXO.com, në një lokacion në qytetin e Gjakovës është gjetur rreth gjysmë kilogrami substance e dyshuar e llojit kokainë.

Në këtë aksion të Njësisë Speciale të Policisë nën udhëheqjen e Prokurorisë së Pejës, është sekuestruar një veturë e cila ka shërbyer për bartjen e kanabisit.

Gjithashtu edhe një armë e llojit AK47 është gjetur gjatë bastisjes.

Në këtë aksion janë bastisur nëntë lokacione dhe janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohet se e kanë kultivuar substancën e dyshuar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli.

Prokurori Qavolli ka konfirmuar për KALLXO.com se gjatë bastisjeve janë gjetur prova qe i lidhin këta të dyshuar me hetimin i cili ka nisur muaj me parë në ketë prokurori.

Njësitë Speciale të Policisë nën udhëheqjen e Prokurorisë së Pejës janë duke zhvilluar sot një aksion të gjerë anti-drogë në zonën e Dukagjinit.

28.09.2022. Foto: KALLXO.com
28.09.2022. Foto:KALLXO.com
28.09.2022. Foto: KALLXO.com

Bastisje për drogë në zonën e Dukagjinit – FOTO