Pamje - ATK ndalon autobusë që nuk japin kuponë fiskal

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” u transmetua hulumtimi për shmangien e tatimit nga ana e autobusëve.

Dhjetëra ankesa të raportuara në KALLXO.com i janë bartur, Adiministratës Tatimore të Kosovës për të kryer më pas inspektime në teren.

Kësaj radhe në pamjet e transmetuara në emisionin e sotëm mund të shihni që cak i inspektorëve tatimor ishin autobusë të cilët nuk lëshonin kupona fiskal.

Autobusë të shumtë të cilët hynë në Prishtinë kontrollohen dhe insektohen nga një numër i lartë i inspektorëve të ATK-së.

“Në bazë të informatës që kemi pranuar me datë 16 janar 2020 kemi përgatitur një plan të veprimit për një kategori të caktuar të bizneseve. Aktiviteti do të përqendrohet te një grup i caktuar që si veprimtari kanë bartjen e udhëtarëve. Informatat tregojnë se një pjesë e këtyre bizneseve nuk lëshojnë kuponë fiskal”, thotë Xhemajl Hertica, drejtues i ATK-së.

Sipas të dhënave, vetëm një autobus për një vit mund të bëjë shmangie të tatimit deri në 20 mijë euro. Kjo shmangie mund t`i kushtoj shumë buxhetit të Kosovës, ndërsa me ligjet dhe rregulloret e ATK-së shmangia e tatimeve është e dënueshme dhe bizneset që kryejnë shmangie të tatimit mund të dënohen me mijëra euro.

Me të nisur inspektimin, Administrata Tatimore e Kosovës kishte kërkuar ndihmë nga ana e Policisë së Kosovës për këto inspektime.

Pamjet e transmetuara ekskluzivisht mbrëmjen e sontme tregonin se si inspektorët e ATK-së ndalonin autobusët dhe shikonin nëse të njëjtit nuk përmbanin kuponë fiskal ani pse e kanë të obligueshme.

Në ndalesën e parë të një autobusi, inspektori i ATK-së gjeti se tetë persona që ishin duke udhëtuar nuk kishin qenë të pajisur me kupon fiskal.

Pas marrjes së shënimeve nga ana e inspektorëve në autobusin e parë, të njëjtat të dhëna do të dërgoheshin më pas në departamentin adekuat i cili merret me ndëshkimet e bizneseve për shmangie të tatimit.

Shmangie e tatimit u has edhe në një autobus tjetër. Ani pse autobusi ishte i mbushur me udhëtarë të shumtë, një pjesë e tyre nuk kishin qenë të pajisur me kuponë fiskal.

Në një nga autobusët e kontrolluar nga ana e inspektorëve të ATK-së, madje nuk kishte as arkë fiskale.

Në pamjet e transmetuara mund të shihni edhe pjesën kur inspektorët hasën në autobusin i cili po shmangte tatimin pasi që nuk kishte asnjë arkë fiskale e as nuk kishte shpërndarë kuponë fiskal.

Të shumta kanë qenë inspektimet që kanë kryer  inspektorët e ATK-së në teren për të  parë nëse autobusët po i përmbahen rregullave dhe të njëjtit po i pajisin udhëtarët me kuponë fiskal.

Gjetjet dhe raportet e inspektrëve nga terreni do të dërgoheshin në departamentin përkatës ku më pas do të shqyrtoheshin të gjitha parregullësite dhe do të shqiptoheshin masat ndëshkuese.