Pamje - ‘8 trëndafilat për 8 mars, 8 fyerjet e grave në Kuvend’, protesta artistike e të riut kosovar

I veshur me të zezë, maskë të vendosur në fytyrë, në dorën e djathtë mbante lule të bashkangjitura me mesazhe e të mbështjella me një kravatë ngjyrë kuqe, një çadër në shenjë mbrojtje, e në pjesën e zemrës fare lehtë vërehej një pecetë higjienike me një pikë të kuqe në mes. Në këtë mënyrë ka vendosur të protestoj artisti nga Kosova. Pikërisht dje, në ditën e gruas, tek memoriali “Heroinat”.

“8 Marrëzi” ka vendosur moton për protestën e tij artistike i riu nga Kosova, kështu duke ironizuar 8 marsin, ditën e grave.

‘I am I’ (Unë jam unë), është emri artistik i tij, ai thotë se kjo mënyrë e protestës është formë e re për të protestuar.

Ai në rrjetin social Instagram ka postuar fotografi nga performanca e bërë dje, më 8 mars ditën e gruas.

‘I am I’, me anë të fotografive ka treguar 8 raste ku gratë në Kuvendin e Kosovës janë ofenduar, nga disa deputet.

“Janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”, Isa Mustafa – Grave të Kosovës. “Oj zojë mos bërtit, mos klith”, Sabri Hamiti, Albulena Haxhiut, “Ma hanksh…”, Kadri Veseli – Albulena Haxhiut, “Çka po bërtet si grue e keqe”, Kadri Veseli – Fisnik Ismajlit, “Prostitutë politike”, Hajdar Beqa – Mimoza Kusari – Lila-s, “Sonte në Rubikon është duke folur lopa “transparente”, Sami Kurteshi – Dhurata Hoxhës, “A e përdorë me gojë shumë a?”, Kadri Veseli – Drita Millakut, “Je pak si femen”, Dardan Molliqaj – Haki Abazit.

Simbolika e maskës është ironizomi për mbrojtjen nga gjuha seksiste e politikanëve tanë, thotë ai.

“Kjo simbolizon “mbrojtjen nga rreziku” i gjuhës seksiste nga politikanët e Kosovës”, u shpreh artisti për KALLXO.com.

Ndërsa, me pecetat higjienike të cilat artisti i ka vendosur në jakën e palltos, bën thirrje të mos vriten gratë.

“Peceta e vendosur në jakën e palltos, me pikë të kuqe në mes të pecetës, tek pjesët e zemrës simbolizon shënjestrimin si cenim i jetës së gruas nga ky sistem dhe mentalitet patriarkal, poashtu edhe ciklin e gruas, duke bërë thirrje me moton – Mos i vrisni gratë”, tregon tutje ai

“The art of Protest” (Arti protestës), është koncepti ku ai trajton tema socio-politike. Ai thotë se përmes kësaj mundohet të informojë dhe të i stimuloj popullin për guxim për të reaguar ndaj të gjitha fenomeneve negative në shoqëri.

“Trajtoj tema socio-politike në kuadër të konceptit “The Art of Protest”, përmes kësaj forme synohet informimi dhe vetëdijesimi i masës për gjendjen aktuale sociale dhe politike në vend, njëkohësisht edhe stimulimin e tyre për të marrë guximin për të reaguar dhe për të shprehur revoltën qytetare duke i adresuar problemet dhe brengat e tyre, si dhe duke i dënuar fenomenet negative”, u shpreh artisti ‘I am I’.

Ai ka dashur që qytetarët ta njohin vetëm me emrin ‘I am I’, dhe më shumë të njihet për punën e tij.

Performanca “8 marrëzi”, nuk është e vetmja, ai edhe më herët ka protestuar për tema të ndryshme, por gjithmonë artistike.