Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Palmer: ShBA-të janë hisedarë në procesin e dialogut, jo palë

Zëvendës Ndihmësi Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka folur për vizitën treditore në Kosovë.

Palmer ka deklaruar se bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kanë theksuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut,

“Mendoj se porosia thelbësore është të theksojmë dhe nënvizojmë natyrën e fortë dhe të qëndrueshme të partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. Ne e mbështesim perspektivën evropiane të Kosovës. Duam ta shohim Kosovën të integruar në komunitetin evropian dhe euroatlantik. I mbështesim qëllimet e qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe promovimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Palmer.

“Duam të jemi aty si partnerë të fuqishëm. Përveç kësaj, e vizitova Prishtinën së bashku me Mirosllav Lajçakun, i cili është përfaqësues i posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përfshirë veçanërisht për dialogun. Përfaqësuesi i posaçëm Lajçak dhe unë patëm dëshirë të theksojmë dhe nënvizojmë rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut, për të punuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të hapur derën drejt të ardhmes evropiane për popullin e Kosovës”, ka thënë Palmer.

Palmer tutje deklaroi se mes SHBA-ve dhe BE-së nuk ka asnjë dallim në raport me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se SHBA-të janë hisedarë në këtë proces dhe jo palë.

“Nuk janë kundërthënëse. Shkojnë në të njëjtin drejtim. Do të dëshironim një marrëveshje për normalizimi e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Serbisë dhe Kosovës, e cila në mënyrë ideale për ne përqendrohet në njohjen e dyanshme, e cila, siç e shohim ne, vërtetë e vë këtë çështje prapa krahëve dhe hap rrugëtim të pastër evropian për të dy vendet… Jemi partnerë të përkushtuar për Shërbimin për Veprim të Jashtëm Evropian (EEAS), për Miroslav Lajçakun, jemi partnerë të përkushtuar për Kosovën, jemi partnerë të përkushtuar për Serbinë. Pra, edhe nëse nuk jemi ulur në tavolinë apo në sallë kur debatohet për çështje të ndryshme, kemi folur për këto çështje me të gjitha palët në proces në raste të shumta. Kemi pamje shumë të mirë e të qartë për cilat çështje po debatohet. Jemi pjesë e bisedës. Pra, në këtë kuptim, po marrim pjesë në negociata edhe nëse nuk jemi palë në to”, tha Palmer.