Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Palmer: Ndryshimi i kufijve nuk është në agjendë

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për RTK-në ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një marrëveshje që përfundon me njohje të ndërsjellë.

Palmer ka thënë se çështja e dialogut është mirë të kryhet sa më shpejtë që është e mundur.

Sa i përket ndryshimit të kufijve, Palmer tha se nuk mendon se është në agjendë një gjë e tillë.

“Nuk më takon mua t’i identifikojë vijat e kuqe në këtë proces. Pala kosovare ka qenë mjaft e qartë në këtë çështje”, u shpreh Palmer.

Në anën tjetër, sa i përket Asociacionit, Palmer ka thënë se palët e përfshira në dialog duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Palët duhet t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. E kuptoj që ka parametra të marrëveshjes së Asociacionit që duhet të diskutohen, por kjo s’duhet ta pengojë procesin. Nuk do t’ju tregoj se çka duhet të bëjë Kosova. Qeveria e Kosovës vendos se si do t’i qaset kësaj çështjeje”, ka thënë Palmer.