Mathew Palmer FOTO: VOA

Palmer: Mbështesim BE-në në dialogun Kosovë-Serbi, të fillojë sa më shpejt

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka hezituar të përcaktojë ndonjë afat kohor sa i përket arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.

Palmer në një intervistë në ‘KTV’ tha se ShBA ndan të njëjtin qëllim me BE-në që të përshpejtohet fillimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, por se janë për një marrëveshje me njohje reciproke.

“Ne ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për të çuar përpara shpejt dialogun. Me vendosmëri ShBA do të dëshironte normalizim të marrëdhënieve e dhe marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që hap rrugën qartë për integrim evropian”, tha ai.

Sipas Palmer, ShBA e mbështet BE-në në këtë proces dhe kërkoi që të fillojë sa më shpejt dialogu.

“BE po i prin këtij procesi, ne e mbështesim këtë dhe inkurajojmë fuqishëm Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen seriozisht dhe të fillojnë procesin sa më shpejt që është e mundshme”, tha Palmer më tej.