'Pallati i Rinisë' me kryeshef të ri

Ndërmarrja publike lokale “Pallati i Rinisë” ka përfunduar procedurat për zgjedhjen e kryeshefit të ri.

Në bazë të vendimit të datës 8 dhjetor 2022, udhëheqëse e kësaj ndërmarrje do të jetë Mrika Gashi Macula.

Gashi- Macula ka dalë e para me 31.95 pikë.

Kryeshefi Ekzekutiv emërohet nga Bordi i Drejtorëve për mandat 3 vjeçar, me mundësi të vazhdimit edhe për një mandat.

Konkursi ishte shpallur më datën 28 tetor 2022.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për përzgjedhjet e kryeshefave në ndërmarrjet publike lokale në qeverisjen e Përparim Ramës së LDK.

Më 19 shtator 2022, KALLXO.com raportoi se një asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fisnik Osmani është emëruar kryeshef në ndërmarrjen publike lokale “Termokos”.

Më 25 tetor 2022, u raportua se Sokol Havolli, me të kaluar politike në LDK është kryeshefi i ri që është zgjedhur për të parin e ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”.

KALLXO.com raportoi më 1 nëntor 2022, se Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.