Palestrat sportive kundër mbylljes

Palestra private ‘Fivestar Fitness’ ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për mbylljen e fitneseve dhe palestrave sportive.

Përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, ‘Fivestar Fitness’ e ka quajtur vendim skandaloz, duke thënë se janë përkujdesur në maskimum që të respektojnë masat anti-COVID-19.

“Fivestar Fitness ka mbështetur dhe ka respektuar çdo vendim të nxjerr nga këto Institucione për luftim dhe parandalim të COVID-19, që nga fillimi i Pandemisë. Mirëpo, një vendim si ky i sotmi mbetet skandaloz për Industrinë e Fitnesit, duke marr parasysh se jo vetëm se kemi qenë prej Industrive më të afektuara në Pandemi, globalisht, por kemi kontribuar aq shumë për vetëdijësimin e repektimit të masave, vaksinimit, informimit, në lidhje me kujdesin ndaj shëndetit gjatë Pandemisë”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim kanë thënë se si palestër të gjithë anëtarët që frekuentojnë janë të verifikuar në sistem, me vaksinim të plotë, si dhe palestrat janë inspektuar vazhdimisht.

“Në palestrat tona, në hapësira nga 1000m2 nuk është lejuar mbingrakimi i tyre duke limituar numrin e vizitorëve në të njëjtën kohë. Në palestrat tona, me ventilimin e sofistikuar, është bërë ndrrimi i ajrit vazhdimisht.Palestrat janë dezinfektuar detajisht gjatë gjithë kohës”, thuhet në reagim.

Ata, kanë kërkuar edhe një herë që Qeveria ta rishqyrtojë këtë vendim, ndërsa kanë pyetur se çka të bëjnë me pagat e 80 punëtorëve, që sipas tyre, kanë kontrata të rregullta të punës dhe me klientët të cilët kanë parapagim.

Sot Qeveria e Kosovës në kuadër të masave të reja anti-COVID-19, ka marrë vendim për mbylljen e fitneseve dhe palestrave sportive apo rekreative.

Masat e reja, mbyllen fitneset dhe palestrat