Palestra sportive, ndërtimi i të cilës zgjati 12 vite, përurohet nesër në Skenderaj

Pritjes dymbëdhjetëvjeçare të sportistëve të Skenderajt për palestren sportive në qytetin e tyre po i vjen fundi.

Për të mërkurën është paralajmëruar përurimi i palestrës sportive, i financuar nga niveli qendror.

Përurimi, sipas një njoftimi të Komunës së Skenderajt, do të bëhet nga ora 16:00. Palestra gjendet përballë parkut “Idriz Rreci”.

Kjo palestër ka nisur punimet që nga viti 2009, investim ky i Ministrisë së Sportit. Atëbotë këtë dikaster e ka udhëhequr Valton Beqiri.

Por pasardhës të tij ndër vite premtuan disa herë përfundimin e kësaj palestre.

Në mungesë të një palestre të tillë klubet e suksesshme të volejbollit, ai i vajzave dhe i djemve, janë dashur t’i kryejnë stërvitjet në sallat e edukatës fizike të shkollave.