Palestinezët, të zhvendosur nga lufta, përballen me kërcënimin tjetër - dimrin
Plazhet e Gazës më nuk janë për udhëtime ditore. Dhjetëra mija persona tani jetojnë përgjatë bregdetit, të detyruar t’ua kthejnë shpinën shtëpive të tyre sherri i luftës.
Por ditëve të fundit, ata po përballen me një kërcënim të ri sfidues: erërat e ftohta detare që po përlajnë tendat dhe vendbanimet e tyre të improvizuara, raporton BBC.
“Asgjë nuk ka mbet në tendë: Nuk ka dyshekë, nuk ka shtretër, nuk ka bukë, gjithçka na është marrë. I përlau deti”,, thekson Mohammed al-Halabi në Deir al-Balah.
“E shpëtuam një fëmijë ë vogël që ishte zvarritur deri te deti”.
Pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës tani janë zhvendosur dhe nëntë në dhjetë prej tyre jetojnë në tenda najloni në kampe të improvizuara, kanë treguar të dhënat e Kombeve të Bashkuara.
Me temperaturat që po bien, shumë prej tyre janë edhe të sëmurë. Ka pasur vërshime nga reshjet dhe ujërat e zeza.
“Fëmijëve të mi po iu ngrihen këmbët, koka – gjithçka po ngrihet”, ka treguar Shaima Issa në një rrëfim për BBC-në në Khan Younis. “Vajza ka temperaturë për shkak të të ftohtit. Ne në të vërtetë po jetojmë në rrugë. Të gjithë janë të sëmurë dhe po kolliten”.
“Kur bie shi, ne vërshohemi”, shton fqinja e saj Salva Abu Nimer, duke qarë. “Reshjet e dendura po na vërshojnë, dhe ne nuk kemi tenda që na mbrojnë prej shiut. Shiu po na hyn në dyshemenë e tendës dhe plaçkat janë lagur qull”.
“Pa dysheme, pa ushqim, pa pije, pa strehë”, vazhdon ajo. “Çfarë jete po bëj? Më duhet të shkoj në fund të botës vetëm që të siguroj kafshatën e gojës për fëmijët e mi”.
Përderisa situata është më e keqe në veri, zyrtarët e OKB-së po paralajmërojnë për mungesë të ilaçeve, ushqimit, strehimit dhe naftës në mbarë Gazën, duke e përshkruar gjendjen si “katastrofike”.
Ka radhë të gjata për ndihma humanitare në pjesët qendrore dhe jugore të Gazës, ku po jetojnë shumica e njerëzve.
Kameramani i BBC-së në Gazë ka xhiruar disa ditë me radhë sesi qindra gazanë presin për orë të tëra në radhë për të siguruar pak bukë. Herë pas here ka edhe shtyrje në radhë, derisa njerëzit mundohen të dalin përpara.
“Më duhet një copë bukë. Kam dhimbje, diabet dhe shtypje të lartë gjaku. Nuk po mund të shtyhem me njerëzit në radhë; druaj se do të ngel pa frymë dhe do të vdes”, ka thënë Hanan al-Shamali, që po jeton në Deir al-Balah, por që në të vërtetë para luftës jetonte në Gazën veriore.
“Më duhet bukë që të mund t’i ushqej fëmijët e mi. Vij çdo mëngjes. Dhe në fund, a marr bukë? Nganjëherë, por, por shumicën e herëve jo”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com