
Palestinezët përgatisin tendat për kthimin e familjeve në Gazë pas armëpushimit
Palestinezët në Gazën veriore po i përgatisnin të enjten kampet e najlonit për familjet e zhvendosura, dy ditë para se pritet të kthehen në zonat e tyre, në pajtim me afatin kohor të Marrëveshjes së Armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” – raporton të premten, më 24.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.
Në fushë të hapur rrethuar nga ndërtesa të shkatërruara, një grup burrash filluan të ngrenë rreshta çadrash të bardha, që të vendosnin familjet që po planifikojnë të kthehen në Veri të shtunën, kur grupi militant palestinez “Hamas” do të lirojë grupin e dytë të pengjeve në këmbim të dhjetëra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Shumë nga qindra-mijëra palestinezë, që pritet të kthehen në Rripin verior të Gazës, do të kthehen në shtëpitë e rrënuara pas ofensives ushtarake 15-mujore izraelite, që ka shkatërruar enklavën dhe ka vrarë më shumë se 47.000 palestinezë të Gazës.
Në tetor forcat izraelite u kthyen në zonat e veriut në një operacion të madh kundër “Hamasit”, të fokusuar në kampin e refugjatëve “Jabalia” pranë qytetit të Gazës dhe qyteteve Beit Hanoun e Beit Lahiya – duke spastruar zonën nga banorët dhe rrafshuar shumicën e ndërtesave.
“A është kjo tenda që kemi ëndërruar? Në të duhet të vendosen 10 persona. Kjo tendë është për fëmijët e mi, të cilët vijnë nga Jugu. Vërtet, a është kjo hapësirë e përshtatshme?” – ka pyetur Vael Jundiya, ndërsa po përgatiste një tendë për fëmijët e tij të cilët do të kthehen nga zona bregdetare Maëasi në jug.
“Të shtunën, njerëzit që do të vijnë nga Jugu dhe do të vërshojnë (Qytetin) Gazën, ku do të shkojnë? Ky kamp do të strehojë 100, 200 njerëz. Do të jenë 1.5 milionë, që do të vijnë nga Jugu.” – tha Jundiya për Reutersin.
Izraeli filloi sulmin e tij në Gazë, pasi luftëtarët e “Hamasit” sulmuan përtej kufirit më 7 tetor 2023 – duke vrarë 1.200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 persona – sipas të dhënave izraelite.
“Hamasi” publikoi një deklaratë të enjten, duke thënë se kthimi i familjeve të zhvendosura do të fillojë pasi të përfundojë shkëmbimi i së shtunës dhe pasi forcat izraelite të tërhiqen nga rruga bregdetare në Veri. Të paktën katër pengje pritet t’i dorëzohen Izraelit të shtunën.
Duke theksuar shqetësimet e shumë palestinezëve se sa serioz është armëpushimi me faza, një bombardim izraelit me tank vrau dy persona në Rafah në jug të enklavës të Gazës – njoftoi Shërbimi Lokal i Emergjencës Civile.
Ushtria izraelite ka njoftuar në një deklaratë, se ushtarët qëlluan një individ të armatosur në Rafah, megjithëse nuk specifikoi nëse personi ishte goditur.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com