Takimi mes deputetëve nga AAK dhe KOSTT/ Foto: KALLXO.com

Pal Lekaj në KOSTT: Do të insistojmë që më mos të paguhet rryma për veriun

Deputetët Pal Lekaj dhe Shemsedin Dreshaj nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vizituan Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), ku zhvilluan takim informues me Jeton Mehmetin, Kryesues i Bordit të Drejtorëve dhe Sabri Musiqin, Ushtrues Detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në këtë institucion.

Takimi mes këtyre dy palëve ishte për gjendjen në sektorin e energjisë në vend.

Ky takim ishte i mbyllur për media, mirëpo prononcime para gazetarëve pati nga ana e AAK-së ku u deklarua deputeti Pal Lekaj.

“Ne sot patëm një vizitë në KOSTT ku biseduam për sektorin e energjisë e sidomos për balancimin energjetik që është përgjegjësi e KOSTT-it dhe biseduam po ashtu edhe për marrëveshjen që është nënshkruar me Elektroserverin, deri ku ka arritur implementimi, problemet që i kanë por edhe për borxhet që i ka KOSTI dhe shlyerjen e obligimeve që i ka pasur për veriun, për humbjet në veri”, u shpreh Lekaj.

Ai foli edhe për shifrën e borxhit që është arritur nga janari e deri në qershor të këtij viti prej shpenzimeve të rrymës nga qytetarët në veri të Kosovës.

“ Mendoj që KOSTT-i i ka kryer obligimet e veta me obligim të Kuvendit, mirëpo për këtë vit, prej janarit deri këtu, është rritur borxhi dikund deri në qershor, 32 milionë euro për qytetarët që janë të pandërgjegjshëm në veriun e Kosovës”.

Ai tutje tha se ata si opozitë do të insistojnë që rryma në veri të Kosovës të mos vazhdojë të paguhet.

“Qeveria pas kësaj marrëveshjes duhet të insistoj që kjo marrëveshje të implementohet, dhe sa më shpejtë ne si opozitë do të insistojmë që më mos të paguhet për veriun pas kësaj marrëveshje, kanë obligime dypalëshe, po ashtu edhe ZRRE-ja duhet ta implementojë sa më parë”, tha Lekaj teksa shtoi se qeveria e Kosovës duhet të marrë veprime të shpejta pasi që parashikohet se Kosova do të hyjë në krizë të thelle energjetike gjatë dimrit.

“Sipas parashikimeve të gjithë sektorit të energjisë që kemi pasur vizita deri më sot kemi me hy në një krizë të thellë energjketike në stinën e dimrit. Prandaj, duhet të prevenojmë sa më parë, qeveria duhet t’i kryej obligimet e veta, duhet të krijohet një taskë forcë për të vepruar që mos të vijmë tek kriza energjetike sikur që kemi ardhur vitin e kaluar”.

Tutje, Lekaj shtoi se  do të kërkojnë që këtë vit qeveria të jetë më e përgatitur në menaxhimin e krizës energjetike.

“Ndoshta nga pësimet që i kemi pasur, dobësitë që i ka pasur qeveria, ndoshta këtë vit ka me mësu diçka. Mirëpo, ne si opozitë do të bëjmë tonën, do të ngrisim alarmin që të bëhet taskforca dhe të veprojë sa më shpejtë”, shtoi ai teksa përmendi edhe probleme të tjera.

“Problemet janë sa i përket marrëveshjes apo kontrollit në vallaç, do të thotë, KOSTTI meqë është pika kyqe e shpërndarjes të energjisë është që nuk e kanë arritur marrëveshjen sepse Elektroserverin mendon që duhet me fusnotë të bëhet marrëveshja, ndërsa KOSTT-i në bazë të asaj marrëveshjes nuk ka pranuar, prandaj kjo është e tëra ajo që ka ngecur marrëveshja që është obligim edhe i Bashkimit Evropian që të ndërhyjë në këtë sipas udhëzuesit të marrëveshjes”, theksoi ai.

Kosova dhe Serbia, më 21 qershor të këtij viti, ranë dakord për Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë.

Kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor. Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në katër komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan – qytetarëve nuk u janë faturuar shpenzimet e energjisë elektrike dhe ata nuk kanë paguar.

Deri në vitin 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.