Pal Lekaj

Pal Lekaj kërkon falje, tregon se tha feministe e mendoi fëmijërore

Ish Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj përmes një postimi në Facebook ka kërkuar falje në lidhje me deklaratën e tij dje, në të cilën kishte thënë se politika e Albin Kurtit ishte “feministe”.

Lekaj tha se e ka pasur fjalën për termin “ fëmijërore” dhe jo “feministe”.

“Mbrëmë në emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosovës, gjatë bisedës në lidhje me aktualitetin politik në vendin tonë, konkretisht përsa i përket diskutimit për pafuqinë dhe papërvojen e ish/Kryeministrit Kurti për të qeverisur me Kosovën, më ka ndodhur një lëshim i padashur gjuhësor dhe përmbajtësor me fjalën “feministe” (kup. fëmijërore), për të cilin kërkoj ndjesë para publikut të gjerë, e veçanërisht para gjinisë femërore”, ka shkruar Lekaj.

Pal Lekaj mbrëmë, i ftuar në Klan Kosova  duke shpjeguar vendimet dhe punën e Qeverisë Kurti, kishte thënë se është politikë feministe të mos përballësh me sfida dhe të marrësh vendime të tjera.

“Është një politikë feministe e z. Kurti apo mos përgatitja apo guximi për të qeverisur me vendin, sidomos në situate të vështria, kur edhe përpara ka pasur një dialog me Serbinë që nuk ka qenë i përgatitur. Unë mendoj që nëse ke përgjegjësi për të qeverisur Kosovën pë të qenë i pari, e të mos përballesh me sfidat dhe të marresh vendime të tjera mendoj që është feministe”, tha mbrëmë Lekaj.

Kjo deklaratë ka nxitur shumë kritika në drejtim të ish Ministrit.