Pal Lekaj në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Pal Lekaj jep propozime se si të shpëtohet Telekomi i Kosovës

Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se për vite të tëra Telekomi i Kosovës ka qenë një prej ndërmarrjeve publike më të  suksesshme në Kosovë.

Sipas tij, Telekomi sot po përballet me krizë të jashtëzakonshme financiare.

“Në vitin e fundit për shkak të marrëveshjeve pararake funksionimi i tij është  determinuar nga veprimet e menaxhmenteve të ndryshme. Institucionet duhet që sa më parë të krijojnë një strategji, që Telekomi të mos falimentojë”, tha Lekaj.

Sipas deputetit mund të bëhen disa masa emergjente.

“Investimet emergjente të domosdhsme, sigurimi i financimit përmes kredisë në vlerë prej 30 milionë euro, zgjerimi i infrastrukturës së rrjetit me kapacitet përcjellëse konform kërkesave të përdoruesve, zgjerimin i infrastrukturës së rrjetit  në aspektin e mbulueshmërisë së tregut, inkasimi urgjent i borxheve ndaj Telekomit të Kosovës, ulja e shpenzimeve operative, ristrukturimi i menaxhimit të objekteve për të cilat Telekomi paguan qera nga pagesat më të mëdha për qera mbizoëron qiraja ndaj postës, telekomi paguan rreth 400,000 euro në muaj për shfrytëzimin e rreth 34,000 metra katror, pra rreth 11.6 euro për metër katror”, tha mes tjerash ai.

“Implementimi i marrëveshjes mes Telekomit dhe Minsitrisë së Administratës Publike. Implementimi sa më shpejtë i planit të ristrukturimit. Prokuroria duhet ti hetojë të gjitha vendimet që janë marrë dhe e kanë sjell Teekomin në këtë situatë”, shtoi deputeti.

Lekaj iu drejtua edhe një deputete të Kuvendit, duke mos ia përmendur emrit, që “vëllai i saj të ketë mëshirë ndaj Telekomit”.

“I kërkoj deputetes së nderuar, meqë vëllai i saj, pa fajin e deputetes ka qëlluar që të jetë ai që ka kërkuar që të mirret një shumë e madhe e këtyre përmabrimit, ta lutish që në këtë drejtim të ketë mëshirë”, tha deputeti.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.