Pakistan: Gjykata e Lartë e Pakistanit vendos se arrestimi i liderit opozitar Imran Khan ishte i paligjshëm

Gjykata e Lartë e Pakistanit ka vendosur se arrestimi i ish-kryeministrit Imran Khan me akuza për korrupsion këtë javë ishte i paligjshëm.

Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të zotit Khan. Avokatët e tij kishin argumentuar se ndalimi i tij nga hapësirat e gjykatës në Islamabad të martën ishte i paligjshëm.

Të paktën 10 njerëz janë vrarë dhe 2,000 janë arrestuar ndërkohë që protestat e dhunshme kanë përfshirë Pakistanin që kur ai u arrestua.

Arrestimi i së martës i përshkallëzoi tensionet në rritje midis tij dhe ushtrisë.

Udhëheqësi i opozitës, i rrëzuar me votëbesimin në prill të vitit të kaluar, u soll në gjykatë me urdhër të gjyqtarit të lartë pakistanez.

“Arrestimi juaj ishte i pavlefshëm, kështu që i gjithë procesi duhet të tërhiqet”, i tha kryetari i drejtësisë Umar Ata Bandial zotit Khan.

Ish-lojtari i kriketit u tha gjyqtarëve se ishte rrëmbyer nga Gjykata e Lartë dhe ishte “goditur me shkopinj”.

Pamjet shfaqin forcat paraushtarake duke e arrestuar zotin Khan, i cili u plagos në një sulm me armë vitin e kaluar, dhe të njëjtin e tërhoqën zvarrë nga brenda hapësirave të gjykatës, përpara se ta largonin me një automjet të blinduar.

Partia e tij PTI thotë se rastet kundër tij janë të motivuara politikisht. Arrestimi i tërboi mbështetësit e tij – në 48 orët e fundit ka pasur dhunë të përhapur dhe sulme të rralla ndaj objekteve shtetërore dhe ushtarake./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala