Pakicat në Shqipëri kërkojnë një numërim më të saktë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2022
Pas kritikave të përhapura për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, autoritetet në Shqipëri po përballen me thirrje për të përmirësuar mënyrën e numërimit të minoriteteve kur të përsëritet numërimi i popullsisë në vitin 2022.
Shqipëria pritet të kryejë një regjistrim të vonuar kombëtar të popullsisë vitin e ardhshëm dhe organizatat rome dhe egjiptiane në vend po u kërkojnë autoriteteve të adresojnë mangësitë në numërimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, të cilat sipas tyre u kushtojnë shumë pakicave përsa i përket shpërndarjes së burimeve.
Kritikët e regjistrimit të fundit të popullsisë në vend thonë se ai nuk ka numëruar si duhet komunitetin rom dhe egjiptian në Shqipëri, gjë e cila ka pasur një efekt negativ në mënyrën se si ndahen fondet buxhetore për pakicat, nga arsimi te punësimi dhe mirëqenia sociale.
Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë ishte planifikuar për në vitin 2020, por u shty për shkak të tërmetit të madh të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Ai u shty përsëri këtë vit për shkak të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në prill.
Kur të mbahet përfundimisht vitin e ardhshëm, autoritetet do të duhet të veprojnë më mirë, tha Gentian Sejrani, kreu i “Drejtësia Sociale”, një organizatë që ofron mbështetje ligjore për komunitetet kryesisht rome dhe egjiptiane.
“Bazuar në këto të dhëna censusi, ndërmerren nisma politike për të përmirësuar jetën”, tha Sejrani për BIRN. “Në mungesë të të dhënave të sakta, padyshim që do të kemi politika që nuk do të jenë efikase për qytetarët, në rastin tonë për pakicat egjiptiane dhe rome.”
Shifrat nuk përputhen
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, pakicat etnike përbëjnë më pak se 1.5 për qind të popullsisë.
Vetëm 8,301 persona u regjistruan si romë, një shifër që Emiliano Aliu nga Roma Veritas Albania tha se “nuk përputhet me realitetin”. Aktivistët romë vlerësojnë se numri real është të paktën dyfishi i shifrës zyrtare.
“Me egjiptianët gjërat janë edhe më keq”, tha Aliu. “Ne e dimë se numri i egjiptianëve në Shqipëri është më i madh sesa ai i romëve, por vetëm rreth 3700 persona janë deklaruar si egjiptianë.”
“Shifrat janë të rëndësishme sepse janë marrë si referencë nga INSTAT për 10 vjet kur bëhet fjalë për projektet komunitare”, tha Aliu për BIRN.
Erion Xhaibra, i cili përfaqëson komunitetin rom në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve në Shqipëri, u pajtua me këtë. “Shifrat thjesht nuk përputhen”, tha ai për BIRN. “Dhe ne e dimë se në projektbuxhetet, shifrat e popullsisë përkthehen në buxhet në nevojat e një komuniteti specifik.”
Që nga viti 2019, prej rreth 11,700 fëmijëve romë dhe egjiptianë në vit u janë dhënë libra shkollorë falas nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, sipas përgjigjes së ministrisë ndaj një kërkese të drejtë informimi të paraqitur nga BIRN. Megjithatë, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në vend ka vetëm 12,000 romë dhe egjiptianë.
Xhaibra tha se ai mori pjesë në vitin 2011 në mbledhjen e të dhënave, por nuk ishte caktuar në komunitetin e tij, ndërsa Sejrani u ankua se shumë njerëz në komunitetet e cenueshme i konsideruan pyetjet si shumë të komplikuara.
“Anëtarë të pakicave egjiptiane dhe rome nuk e kuptuan qartë pyetjen e intervistuesve për përkatësinë etnike”, tha ai. “Disa familje egjiptiane nuk janë pyetur fare për përkatësinë etnike, por pyetësorët janë plotësuar nga intervistuesit.”
Një pjesë e problemit mund të jetë niveli i ulët i punësimit të romëve dhe egjiptianëve në administratën publike. “Në tri komuna nuk janë të punësuar më shumë se tre persona nga këto komunitete, të cilët punojnë me kontrata shërbimi”, tha Aliu.
Frikë nga diskriminimi
Në vitin 2015, një studim nga Kombet e Bashkuara, INSTAT dhe Ministria Shqiptare e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përmendi frikën midis regjistruesve për të hyrë në komunitete të caktuara dhe një refuzim të disa romëve për t’iu përgjigjur pyetjeve që ata mendonin se mund të keqpërdoreshin për diskriminim.
Një raport i Këshillit të Evropës i botuar vitin e kaluar citoi gjithashtu kritikat e OJQ-ve se regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 “pyeti për ‘pakicë kombëtare’, ‘etni’ dhe ‘kulturë’ pa i shpjeguar këto terma dhe se në realitet numri mund të jetë shumë më i lartë”.
INSTAT nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse janë adresuar problemet e identifikuara në vitin 2011, por ai ka nisur një projekt pilot që përfshin pakicat rome dhe egjiptiane dhe i projektuar për të përmirësuar komunikimin dhe lidhjet midis INSTAT dhe komuniteteve minoritare.
Ola Tare, e cila drejton organizatën për të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, Qendra T`reja, i kërkoi INSTAT-it të përdorë regjistrues romë dhe egjiptianë në ato komunitete.
“Ne kemi kërkuar gjithashtu përfshirjen e të paktën një aktivisti nga të dyja minoritetet në të gjitha komunat për të lehtësuar procesin dhe për të shmangur disa gabime që mund të vijnë si rezultat i mosnjohjes së të dy komuniteteve”, tha Tare.
“Shifrat e pasakta ndikojnë në hartimin e politikave dhe programeve që mund të përmirësojnë kushtet e jetesës së familjeve rome dhe egjiptiane.”