Ilustrim

Pakënaqësitë me orarin mësimor, nxënësit e dy klasave të shkollës 'Dardania' në Prishtinë bojkotojnë mësimin

Prindërit e nxënësve të klasave II/3 dhe II/4 në Shkollën Fillore “Dradania” në Prishtinë, sot (16.07.2024) kanë vendosur ta bojkotojnë mësimin dhe të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. 

Kjo për shkak të pakënaqësive që kanë me orarin mësimor që është propozuar të jetë nga ora 15:00 deri në orën 18:25.

Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetarja e Grupit të Pirndërve, Besarta Rrahmani. Sipas saj derisa të ndryshohet orari i mësimit për këto klasa, do të vazhdojnë bojkotin e mësimit.

“Realisht mësimi në këtë klasë ka me fillu në orën 15:00, ne kemi vendosë mos me i dërgu fëmijët në shkollë, jo vetëm klasa e II/4, por edhe klasa e II/3,  e cila ka vendosë me bojkotu mësimin… Ne jemi shumë të vendosur, deri në momentin kur të ndryshohet orari, kur të bëhet ndonjë orar më i përshtatshëm për fëmijët e kësaj moshe”- ka thënë Rrahmani. 

Drejtori i Shkollës “Dardania” në kryeqytet, Besim Gashi thotë se nuk është në dijeni për këtë veprim të prindërve të nëxënësve. 

“Nuk kam informacione që do ta bojkotojnë mësimin, dhe nuk besoj se do ta bojkotojnë mësimin. Nuk e di, ta shohim, nuk besoj se kanë me bojkotu mësimin, unë e di që kanë me mbajtë mësimin, mësimi është kah zhvillohet, gjithçka në rregull”- është shprehur Gashi.

Tutje, Gashi është shprehur se pavarësisht kërkesave të prindërve orari i mësimit për këto klasa nuk do të ndryshohet edhe për më shumë se një muaj, derisa të kryehen renovimet në këtë shkollë.

“Orari nuk ndryshohet deri sa të kryhet renovimi, domethënë për një muaj apo në muaj e gjysmë do të jetë ky orar, ndërsa pse ata nuk i bijnë fëmijët, mbetet në përgjegjësinë e prindit”- ka thënë Gashi për KALLXO.com. 

Dje më 15.09.2024, prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, përmes një njoftimi janë shprehur të pakënaqur me orarin mësimor, duke thënë se një orar i tillë është i papërshtatshëm dhe se për këtë  çështje kanë dërguar ankesë në Drejtorinë e shkollës dhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA).

Orari i mësimit, prindërit e një klase në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë paralajmërojnë bojkot