Pakënaqësitë me LVV-në në Lipjan, jep dorëheqje edhe asamblisti Fitim Mziu

Dorëheqjeve nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Lipjan i është bashkuar edhe asamblisti Fitim Mziu.

Mziu ka thënë se angazhimin e tij në Kuvendin Komunal të Lipjanit do ta vazhdojë si asamblist i pavarur.

“Kur qëllimi për të cilin je i angazhuar nuk është qëllim për të gjithë aty s’ke ardhmëri. Shëndeti dhe mirëqenia janë fusha për të cilat do të angazhohem si asambleist i pavarur nga votat e juaja qytetarë të nderuar” – ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, “në Vetëvendosje, më e pakta që mund të gjesh është demokracia e brendshme dhe meritokracia”.

Përveç Mziut, edhe tre eksponentë të tjerë të kësaj partie kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Dy anëtarët e grupit punues në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Shkëlzen Bislimi dhe Fitim Sopjani si dhe asamblisti Fadil Spahiu kanë dhënë dorëheqje nga partia për shkak të pakënaqësive të tyre me degën në Lipjan.

Ndërsa, Mimoza Bushrani e cila ia kishte mërsyrë garës për Kryetare të Grupit të Grave të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura të cilën e kishte bërë publike ditë më parë.

Dy ditë më parë është zyrtarizuar edhe largimi Doarsa Kica – Xhelilit, nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes drejt LDK-së.

Partia më e madhe në vend, më 1 shtator ka hapur fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.

Ky nivel përfshinë kreun e partisë, kryetaren e Grupit të Grave si dhe kryetarin e Rinisë. Procesi sipas njoftimit të partisë pritet të përfundojë më 23 shtator 2022.

Zgjedhjet e Brendshme të LVV-së, 3 dorëheqje në Lipjan