Ilustrim

Pak para shpërthimit të pandemisë COVID-19, rreth 431 mijë qytetarë udhëtuan me aeroplan

Para se kufijtë të mbyllen dhe Kosova të shpallë izolimin, në tre mujorin janar-mars 2020, rreth 431 mijë qytetarë hfrytëzuan aeroplanin për të udhëtuar.

Në këtë periudhë pati 1 mijë e 534 fluturime të realizuara me një mesatare prej 256 udhëtar për një fluturim. Që i bie mesatarisht mbi 4 mijë 730 udhëtarë çdo ditë.

Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie për 14 për qind të fluturimeve.

Derisa, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, gjatë këtij tremujori, ishte rreth 431 mijë, e që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar  ka rënie për 9.42 përqind.

Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.

“Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2020, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 21 mijë, ku krahasuar me TM1 2019, numri i udhëtarëve është zvogëluar për 27.42 %. Kjo ka ardhur si rezultat i vendimit të Qeverisë (në muajin mars) për  masat e ndërmarra në luftimin e COVID-19, ku është ndërprerë transporti i udhëtarëve.”, thuhet në njoftim.

Transporti i mallrave me tren, në tremujorin e parë 2020 ishte rreth 101 mijë ton, ku krahasuar me tremujorin e njëjtë 2019 ka rënie për 26 përqind.

Ndërkaq, të dhënat e telekomunikimit janë vlerësuar për këtë periudhë, pasi që operatorëve ekonomikë iu është shtyrë afati i raportimit, si rezultat i masave te ndërmarra nga Qeveria. Në momentin e pranimit të raporteve nga ARKEP, të dhënat do t’i nënshtrohen revidimit.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditur me publikimin e raportit statistikor “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për tremujorin e parë (TM1 2020), me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor, rrugor dhe telekomunikimin.