Pak para nisjes së fushatës, Kurti shpërndau kartelat punonjësve të rinj në KEK

Korporata Energjetike e Kosovës pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025.

Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti disa prej tyre jua shpërndau kartelat e punës.

Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore e cila fillon më 11.01.2025 për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të datës 09.02.2025.

Për këtë ceremoni të shpërndarjes së kartelave të punonjësve dhe kontratave të punës për ta, nuk pati njoftim për media.

Në hyrje të Termocentralit Kosova B, ekipit të KALLXO.com fillimisht iu pamundësua hyrja.

“Ai që iu ka thanë me hi, e thirrni në telefon, vjen ai iu merr. Se pa leje s’guxojmë”– është fjalia e punëtorit të sigurimit në hyrje të këtij Termocentrali.

Pas disa përpjekjeve, ekipi hyri në objektin në të cilin u mbajt ceremonia, kjo në brendësi të hapësirës së Termocentralit.

Në ceremoni përveç kryeministrit, mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe U.D kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, si dhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi.

Pas fjalëve hyrëse, kryeministri dhe ministrja Rizvanolli shpërndanë kartelat për disa punonjës.

Kur kryeministri, pas ceremonisë u pyet se a lidhet ky aktivitet me fushë zgjedhore dhe për të marrë vota nga punonjësit e rinj, ai pati një përgjigje jodirekte.

“Kjo është në funksion të mihjes, prodhimit të qymyrit”– është përgjigja e kryeministrit.

Edhe pse përsëri u pyet se a është ky aktivitet edhe në kuadër të fushatës zgjedhore, kryeministri nuk ktheu përgjigje.

220 punëtorët e rinj do të punojnë në Divizionin e Qymyrit në KEK

Gjatë dy viteve të fundit, në KEK janë pranuar 525 punëtorë.