Ilustrim

Pak orë pas mohimit të plagosjes, IPK arreston 4 policët

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka arrestuar 4 zyrtarë policorë nën dyshimin se janë të përfshirë në plagosjen e një personi në Magjistralen Mitrovicë –Leposaviq.

“IPK ishte njoftuar për këtë rast pasi që policia pas ekzaminimit të dëshmive të siguruara, kishte dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri” – thuhet fillimisht në njoftimin e IPK-së.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara deri më tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë , ndaj tre zyrtarëve që nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast” – thuhet në komunikatë.

Njëri nga 4 zyrtarët policorë po dyshohet për vrasje në tentativë, ndërsa 3 zyrtarët e tjerë po dyshohen për mos-lajmërim të veprës penale.

Të dyshuarave, me vendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente” – thuhet në fund të njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Fillimisht Policia e Kosovës kishte mohuar se në këtë rast të plagosjes janë të përfshirë zyrtarët policorë, por disa orë më vonë kishin konfirmuar se ekzistojnë dyshimet se në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarët policorë.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka suspenduar 4 zyrtarë policorë, si të dyshuar që janë përfshirë në rastin e plagosjes së një qytetari.

KALLXO.com ka mësuar emrat e zyrtarëve policorë që dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast.

I dyshuari për plagosjen është polici K. Pepaj, ndërsa tre policët e tjerë që kanë mohuar plagosjen dhe nuk kishin raportuar rastin janë S. Uka, M. Muqiqi, dhe F. Maloku.

Këta janë policët e dyshuar për plagosjen në Leposaviq