Vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë

Pak javë nga viti i ri shkollor, MASHTI s`ka të dhëna sa mësimdhënës janë vaksinuar

Kanë mbetur më shumë se një muaj kur pritet të fillojë viti i ri shkollor, por ende nuk ekzistojnë të dhëna se sa mësimdhënës në nivel vendi janë vaksinuar me një nga vaksinat që jepen në Kosovë.

MASHTI-i thirret në atë se nuk ekziston një ligj që i detyron mësimdhënësit që të vaksinohen, ndërsa SBAShK-u thotë se Ministria e Shëndetësisë u ka premtuar se vaksinimi i mësimdhënësve është prioritet.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë Dukagjin Pupovci, të premten në një konferencë për media është pyetur në lidhje me vaksinimin e mësimdhënësve të të gjitha niveleve.

“Për momentin nuk i kemi të dhënat për vaksinimin e mësimdhënësve. Presim që të gjithë mësimdhënësit të vaksinohen”, ka thënë Pupovci.

Pupovci po ashtu ka njoftuar se nuk ekziston asnjë ligj që i detyron mësimdhënësit të vaksinohen.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për të marrë një qëndrim nga ana e tij.

Jasharaj ka thënë se që moti ka zhvilluar takime me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia që vaksinimi në sektorin e arsimit të jetë prioritet.

“Tash kur ka goxha numër të mjaftueshëm të vaksinave, ne i apelojmë të gjithë punëtorët në sektorin e arsimit të vaksinohen në mënyrë që ata të jenë më të mbrojtur nga virusi por edhe që viti shkollor të fillojë me rrjedhë të mbarë”, thotë kryetari i SBAShK-ut.

Jashari ndër të tjera ka thënë se beson se javën tjetër do të zhvillojë një takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin ku bashkërisht do t’i apelojnë punëtorët në sektorin e arsimit të mos hezitojnë që të vaksinohen pasi që, sipas tij, nuk ka ndonjë nen apo ligj që i ndëshkon ata që nuk dëshirojnë të vaksinohen.

Që nga muaji mars, Kosova ka filluar që të vaksinojë qytetarët e saj, ndërsa që nga muaji qershor ka filluar vaksinimi masiv.

Aktualisht në Kosovë jepen dy lloje të vaksinave: Vaksinat e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer.