Foto: Policia e Kosovës

Pagesat e orëve shtesë, u. d. drejtori i Policisë nuk i kishte shifrat para Komisionit Parlamentar

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti është ftuar sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të raportoj për zhvillimet në polici.

Njëra nga temat që ngriti debat ishte edhe pagesa e orëve shtesë të zyrtarëve policor të cilët kanë punuar që nga marsi, kur edhe filloi plani operativ 12 orësh në mënyrë që të mbikëqyret situata për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu kërkoi nga u. d. i drejtorit të PK-së, Samedin Mehemeti të dijë se deri më sot sa policë janë paguar për orët shtesë.

“Kam informacione që nuk janë paguar orët shtesë, as shujtat as kompensimet e udhëtimit. Duke pasur parasysh numrin, qysh me gjet ata motivin. Policët me ardh me punu, kur nuk kanë as me çka me u ushqy familjen e tyre”, tha Musliu.

U. d. i drejtorit Mehmeti, tha se orët shtesë janë paguar në dy pjesë.

“Gjatë kohës së pandemisë sidomos në muajt e verës kemi pasur angazhim shtesë. Ka qenë plani operativ që është kërkuar prej tyre, ata është dashtë me i përmbush detyrat në bazë të planit operativ. Këto orë shtesë janë paguar në dy grupe. Njëra pjesë në muajin shtator ose tetor dhe pjesa tjetër në nëntor. Ajo çka është premtuar është që të gjitha orët shtesë do të kompensohen”, tha Mehmeti.

Kjo përgjigje nuk e bindi Musliun, ndërsa kërkoi nga drejtori Mehmeti të tregohet më i qartë dhe të tregoj numrin e saktë të policëve që u janë paguar orët shtesë.

“Prej marsit, 15 mars kemi fillu me plan operativ dhe kemi bërë orë shtesë. Për shkak të shkurtimit të buxhetit dhe orëve të shumta shtesë, është bërë një ndarje, njëra pjesë”, tha Mehmeti deri sa Musliu vazhdoi të kërkonte nga ai që të jepte përgjigje të saktë.

Kjo temë nxiti debat edhe mes deputetes së PDK-së Ganimete Musliut dhe deputetit të LDK-së Hatim Baxhaku.

Baxhaku iu drejtua Musliut se këto të dhëna mund të marrin kohë që të nxirren nga data bazat e pagesave, ndërsa replika e Musliut edhe në këtë çështje nuk mungoi.

“Ky le të thotë s’kam përgjigje do të ua jap me shkrim atëherë unë ndalem, por me përgjigje të tij i cili po tregon nuk po e kuptoj se çka do të thotë. Deri tash morëm shifra edhe jo relevante por kërkesa ime ishte ta di se a janë paguar orët shtesë të zyrtarëve policor”, iu drejtua Musliu, Baxhakut.

Edhe për këtë Mehmeti pati përgjigje.

“Shifrat e sakta do të mund të ua ofrojmë kur t’i kemi në dispozicion. Numri i orëve shtesë që janë krijuar prej datës 15 mars deri në vendimin kur është marrë për kompensim është ndarë në dy pjesë”, tha Mehmeti.