Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pagesa e rrymës nga buxheti i shtetit për katër komunat me shumicë serbe në veri, Kushtetuesja nuk gjeti se ka diskriminim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka konsideruar diskriminim pagesën e rrymës për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga Buxheti i Republikës.

Kushtetuesja pasi ka analizuar kërkesën e 13 deputeteve për pagesën e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit ka konstatuar se pagesa e rrymës për qytetarët në katër komunat me shumicë serbe nuk përbën diskrimnim për shkak se ka një qëllim legjitim, i cili qëllim është ushtrimi i sovranitetit elektroenergjetik të Kosovës, ruajtja e pavarësisë energjetike, interesi për furnizimin me energji në të gjithë vendim, si dhe respektimi i obligimeve të përcaktuara me marrëveshjen me ENTSO, si dhe parandalimin e ndëshkimeve si rezultat i mos respektimit të kësaj marrëveshje.

Më 6 maj të vitit 2021 Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë një akt përmes së cilit e kishte obliguar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër 4 komuna të Republikës së Kosovës, e kishte obliguar Qeverinë e Kosovës që brenda afatit gjashtë 6 mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit.

Këtë akt të Kuvendit e kishte dërguar në Kushtetuese deputetja Blerta Deliu dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, të cilët kishin kërkuar nga Gjykata që të vlerësojë kushtetutshmërinë e atij vendimi.

Gjykata pasi trajtoi të gjitha pretendimet erdhi në përfundim se banorët e katër komunave në veri gëzojnë një trajtim ndryshe nga konsumatorët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës, mirëpo nuk mund të konsiderohet diskriminim nëse ka një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.

Në rastin konkret sipas kushtetueses ka arsye të forta të cilat e dominojnë trajtimin ndryshe e të cilat janë: “Ushtrimi i sovranitetit në sistemin elektroenergjetik me të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara me Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E, ruajtja e pavarësisë energjetike të Republikës së Kosovës; interesi publik në garantimin e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; interesi në ruajtjen dhe fuqizimin e statusit të KOSTT-it në mekanizmin ndërkombëtar, parandalimi i ndëshkimit financiar nga ENTSO-E, si rezultat i mos përmbushjes së zotimit për balancim në sistemin e rrjetit energjetik apo evitimin e devijimeve në sistemin e energjisë nga ana e KOSTT-it; si dhe ruajtja e statusit të KOSTT-it.