Pagesa e Kundërligjshme e AKP-së nga Fondi i Privatizimit

Pagesa ishte bërë për pagesën e Ofruesit të Shërbimeve Profesionale për vitin 2016. Kjo e gjetur është pjesë e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit mbi mënyrën e shfrytëzimit të Fondit të Mirëbesimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Fondi i Mirëbesimit është krijuar si rezultat i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, dhe mjetet e tij mbahen në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Pagesat për Ofruesin e Shërbimeve Profesionale (OSHP) për vitin 2016 në vlerë prej 3,713,028 euro ishin bërë nga Fondet në Mirëbesim. Bazuar në ligjin e AKP-së sipas nenit 16, kompensimi i ofruesve të shërbimeve profesionale kryhet nga mjetet që i janë ndarë Agjencisë nga Buxheti i Republikës së Kosovës ose nga mjetet e siguruara nga një donator”, thuhet në raportin e auditorit.

Megjithatë, kjo Agjenci në komentet e bëra në të gjeturën e Auditorit shfajësohet dhe e bënë fajtore Qeverinë e Kosovës.

“Për këtë çështje (gjetje) të auditorëve e cila është paraqitur edhe më përpara, AKP-ja ka kërkuar buxhet nga Qeveria e Kosovës nga viti 2015, e cila asnjëherë nuk është aprovuar. Vit pas viti kemi paraqitur kërkesën për buxhet shtesë, për këtë të gjetur të auditorit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Përveç kësaj, auditori ka gjetur edhe vonesa në procesin e likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore që shkakton rritjen e shpenzimeve dhe mos përmbushjen e misionit të AKP-së.

“Sipas kontratës, OSHP kishte për obligim që të përmbyll procesin për likuidimin e të gjitha NSH-ve nën administrimin e AKP-së deri me datën 10 korrik 2016, gjë që nuk kishte arrit të bëjë, kështu që AKP kishte nënshkruar aneks kontratën me të njëjtin OSHP edhe për dy vite”, thuhet në raportin e auditorit.

Tutje Auditori sqaron se bazuar në raportin vjetor të AKP-së për vitin 2016 kanë qenë 541 Ndërmarrje Shoqërore nën administrimin e AKP-së. Ndërsa, nga fillimi i procesit të likuidimit deri në 31 dhjetor 2016 ishin gjithsej 463 ndërmarrje shoqërore që kanë hyrë në procesin e likuidimit. Vetëm 12 ndërmarrje deri më tani janë mbyllur sipas aktvendimeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJSK) të cilat ishin pa ankesa apo kërkesa të kreditorëve.

“Autoriteti i likuidimit për NSH-të në likuidim kishte përgatitur raportet e shpërndarjes së mjeteve tek kreditorët e ligjshëm për 117 NSH, të cilat janë në proces të ekzekutimit, si në vijim: Për 96 NSH ishin përgatitur raporte të shpërndarjes së përkohshme dhe për 21 NSH ishin përgatitur raportet përfundimtare”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje thuhet se pengesë në përmbylljen e procesit të likuidimit është edhe mos-kompletimi i bordit të AKP-së. Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka pranuar këtë të gjetur meqë nuk ka dhënë komente për të.

Vonesa sipas auditorit kanë ndodhur edhe gjatë pagesave të 20 përqindëshit për ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.

“Gjatë shpërndarjes së 20% tek punëtorët e NSH-ve të shitura, në disa raste kishte vonesa në shpërndarjen e mjeteve në llogari të përfituesve. Vonesat ishin shkaktuar për shkak të pamundësisë në sigurimin e të dhënave të plota për përfituesit”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori kishte konstatuar se edhe lëshimi i aseteve me qira ishte bërë në kundërshtim me rregulloren e brendshme. Sipas rregullores për qiradhënien e aseteve të NSH- ve, Auditori ka shpjeguar se kërkohet që lista e propozimeve për qiradhënie të dërgohet te Bordi i Drejtorëve për miratim. Pas miratimit të Bordi i Drejtorëve asetet do të lëshohen me qira përbrenda afatit optimal të vendosur nga menaxhmenti. Por, një procedurë e tillë nuk ishte ndjekur.

“Në 18 raste kontratat për qiradhënie ishin nënshkruar pa miratimin nga Bordi i Drejtorëve. Në 11 raste ishin nënshkruar kontrata për qira me qiramarrësit pa i kryer obligimet e papaguara për kontratat paraprake. Në 1 (një) rast qiramarrësi nuk kishte nënshkruar vazhdimin e kontratës, përderisa kishte vazhduar që të shfrytëzojë objektin, por kishte vazhduar që të bëjë pagesat”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje, Auditori ka konstatuar se departamenti i koordinimit rajonal edhe pse kishte progres në mbledhjen e qirasë, nuk ishte në gjendje të ofrojë raport përmbledhës për gjendjen e qirave me 31 dhjetor 2016.

“Mos funksionimi i sistemit të kontrolleve rrit rrezikun e keq menaxhimit të hyrave nga qiratë dhe të aseteve të NSH- ve, gjithashtu ndikon në rritjen e llogarive të arkëtueshme nga qiratë”, thuhet në raportin e Auditorit për Fondin e Mirëbesimit.

Në AKP Punojnë Zyrtarë të Pakualifikuar