Foto: Facebook

Pagat e mësuesve, ministri Murati i quan paradhënie për orët e mësimit që do t’i zëvendësojnë

Ministria e Financave ka ekzekutuar sot pagat e mësimdhënësve për muajin shtator, ani pse procesi mësimor në shumicën e shkollave ishte i bllokuar për shkak të grevës.

Ditëve të fundit, u përfol se mësuesit që ishin në grevë nuk do të paguhen, por sot, dy ditë pas afateve të parapara për lëshimin e pagave, kjo ministri lëshoi paratë.

Por ministri i Financave, Hekuran Murati pagat e lëshuara sot për muajin shtator, i ka quajtur “paradhënie për orët e humbura të shtatorit që do të zëvendësohen nga mësuesit”.

“Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimit, të miratuar nga MASHTI”- ka shkruar ministri Murati në Facebok.

Ende nuk dihet zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me orët e humbura në muajin shtator, derisa nga SBAShK kanë paralajmëruar se nuk do të bëhet zëvendësimi i tyre.

Gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar  zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Ndërsa më 3 tetor ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2022/2023.