Nënshkrimi i aplikimit për BE

Paga e presidentes, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit me koeficientin e ri

Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti ka publikuar sot vlerën e koeficientit për pagat në sektorin publik në vend. Siç njoftoi ekzekutivi kosovar ai do të jetë 105 euro në vitin 2023 dhe 110 në 2024.

Kështu, koeficientin më të lartë në Kosovë do ta ketë presidentja. Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën  presidentit/es do të jetë 18 që i bie se paga e të parit të shtetit të jetë 1 mijë e 890 euro në vitin 2023.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri i vendit do të kenë koeficientin 17, që i bie se paga për këto dy poste publike do të kenë pagë prej 1 mijë e 785 euro në muaj.

Pagë më të lartë se kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të ketë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Koeficienti për këtë pozitë do të jetë 17.5, që i bie se paga mujore do të jetë 1 mijë e 837 euro e 50 centë.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.