Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Paga e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sipas koeficientit 105 euro

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Kjo vlerë ka caktuar edhe sa do të paguhen deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Një deputet/e i Kuvendit që vlerën e koeficientit e ka 16.4, pagën mujore do ta ketë 1,722 euro.

Të njëjtën pagë do ta ketë edhe ministri/ja i Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, zëvendësministri/ja që e ka koeficientin 14.8, pagën mujore do ta ketë 1,554 euro.

Koeficientin më të lartë në Kosovë do ta ketë presidentja. Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën  presidentit/es do të jetë 18 që i bie se paga e të parit të shtetit të jetë 1 mijë e 890 euro në vitin 2023.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri i vendit do të kenë koeficientin 17, që i bie se paga për këto dy poste publike do të kenë pagë prej 1 mijë e 785 euro në muaj.

Pagë më të lartë se kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të ketë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Koeficienti për këtë pozitë do të jetë 17.5, që i bie se paga mujore do të jetë 1 mijë e 837 euro e 50 centë.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.