Ilustrim

Paga e ambasadorit dhe anëtarëve të shërbimit të jashtëm me koeficientin e ri

Qeveria e Kosovës ka publikuar sot vlerën e koeficientit për pagat në sektorin publik në vend. Siç njoftoi shefi i ekzekutivit Albin Kurti, ai do të jetë 105 euro në vitin 2023 dhe 110 në 2024.

KALLXO.com ju sjell pagën dhe koeficientin për  pozitat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm në Kosovë.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën e ambasadorit do të jetë 12.8 që i bie se paga e tij të jetë 1 mijë e 344 euro në vitin 2023.

Ministri në Mision Diplomatik ka koeficientin 10.4 ndërsa paga e tij këtë vit do të jetë 1 mijë e 92 euro.

Ministri këshilltar në Mision Diplomatik ka koeficient 9.8 ndërsa sipas vlerës ai do të marrë këtë vit pagë prej 1 mijë e 29 euro. Të njëjtën pagë do ta ketë edhe Konsulli i Përgjithshëm.

Këshilltari e ka koeficientin 8.4 ndërsa paga do të jetë 882 euro.

Konsulli e ka koeficientin 7.6 kurse pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe do të paguhet me pagë 756 euro, ndërsa agjenti Konsullor 5.8 e ka koeficientin dhe do të paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro