Pafta e brezit, perla ilire që ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë

Pafta e brezit e ushtarit ilir është një prej thesareve antike ilire që ruhet në muzeun Historik në Tiranë.

Ky artefakt është zbuluar në Selcën e Poshtme në Pogradec. Për të bërë më të lehtë qasjen me vizitorët Muzeu Historik Kombëtar (MHK) në hyrje të Pavijonit të Lashtësisë ka vendosur një riprodhim të këtij artefakti.

Ajo është prej bakri dhe është e zmadhuar 17 herë, për të treguar qartë detajet në të.

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje rreth këtij artefakti për vizitorët.

Sipas drejtuesve të Muzeut të Tiranës, Pafta është zbuluar në Selcën e Poshtme në Pogradec dhe është tipike ilire.

Sipas MHK, origjinali prej argjendi, ka trajtë katërkëndëshe me përmasa 20 cm x 5 cm dhe është e zbukuruar me skenë luftimi dhe e realizuar me rrahje nga prapa, dhe me harkim të lehtë për t’iu përshtatur vendit në brez.

“Kompozimi dy kalorës dhe një këmbësor në mes tyre është sipas parimit të kundërvënies, një parim bazë i artit arkaik. Brenda kuadrit të tipareve arkaike qëndron edhe mbushja e gjithë hapësirës midis figurave kryesore me figura më të vogla dhe me motive zbukurimore, duke mënjanuar hapësirën e lirë. Skena reale e triumfit të luftëtarit ilir mbi armikun është gërshetuar me elementet mitologjike, siç janë dragoi, grifoni, peshku a zogu. Skena është një interpretim i legjendës së Kadmit, i cili pasi i ndihmoi enkeleasit të fitonin mbi armiqtë e tyre, u shndërrua në një dragua”, shkruhet në postimin e MHK në Facebok.

MHK ua ka mundësuar vizitorëve vizitë virtuale në muze, pas mbylljes për shkak të coronavirusit.