
Pal Lekaj - Foto: Facebook/PalLekaj
Paditet Ministria e Pal Lekajt - Dokument
Kompania e auto transportit “Sharr Travel” e ka paditur sot Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit në Gjykatën e Prishtinës.
Kjo kompani pretendon se Ministrit në dorëheqje Pal Lekaj nuk ka pas të drejtë në anulimin e një vije të transportit të kësaj kompanie dhe dhënien e kësaj vije një kompanie tjetër.
Dorëzimin e padisë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i kompanisë “Sharr Travel” Nasuf Hasani.
“Paditësi ‘Sharr Travel’, konsideron se pa asnjë bazë ligjore Ministri e ka marrë vendimin me të cilin i pezullohet rendi i udhëtimit për transportin e udhëtarëve Prishtinë-Prizren dhe anasjelltas. Paditësi ‘Sharr Travel’, këtë vendim e vlerëson si mjaft tendencioz dhe politik, krejt me qëllimin që ministri Pal Lekaj të përfiton një elektorat eventual”, thekoi avokati Hasani.
“Sipas vendimit me të cilin pezullohet rendi i udhëtimit që ishte në fuqi deri me datës 25.02.2020, edhe për kundër se ‘Sharr Travel’ ka investuar në këtë linje (duke blerë autobusë të rinj, si dhe duke i punësuar njerëzit profesional nga kjo lëmi), ministri i referohet një Aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, i cili aktgjykim nuk ka fare të bëjë me Sharr Travel, thjeshtë pa asnjë bazë ligjore paditësit ia mohon punën në këtë linjë, e rrjedhimisht paditësit i vështirësohet gjendja ekonomike e tij”, tha Hasani.
Avokati Hasani tha se nga Gjykata kanë kërkuar edhe masën e sigurisë për këtë vendim.
“Ne përmes kësaj padie kemi paraqitur edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj këtij vendimi, e në bazë të provave që ia kemi bashkangjitur padisë shpresojmë shumë nga Gjykata Themelore në Prishtinë të ndërmerr hapat e duhur në drejtim të pezullimit të këtij vendimi”, shtoi avokati Hasani.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me pretendimet e kompanisë ‘Sharr Travel’, mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.