Shpresa Loshaj

Paditet aktivistja e mjedisit, kompania "KelKos" i kërkon 100 mijë euro

Përfaqësuesja e organizatës jo-qeveritare ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj, ka njoftuar se është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet për dëmtim të imazhit dhe si dëmshpërblim po kërkon me 100 mijë euro.

Loshaj po pretendon se padia është bërë për faktin që ajo ka ngritur zërin publik duke shkruar në rrjete sociale e dhënë prononcime në media kundrejt kësaj kompanie, e cila ka katër hidrocentrale në Deçan.

“Sapo kam pranuar nga Gjykata padinë e Kelkosit SLAPP* për “shpifje” me të cilën Kelag Energie po i kërkon nga unë 100,000 euro për kinse dëmtim imazhi. Po pra, 100,000 euro! Padia është bërë nga avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi për faktin që kam shkruar në fb, kam folur në media dhe kam kontaktuar ZRrE dhe Ministrinë e Ambientit; Po, edhe për këto të fundit. Kjo padi është bërë disa muaj pasi e njëjta kompani e paditën aktivistin Adriatik Gacaferi me 10,000 euro për një kritikë të drejtë që ia kishte bërë Kelkosit. Vetëm se te rasti im, vendosën t’ia shtojnë prapa edhe një 0″, ka shkruar aktivistja në llogarinë e saj rrjetin social facebook.

Ajo shtoi se kanë filluar tashmë me përgatitjen e përgjigjes në padi, e që do të angazhohen dhe më shumë në mbrojtjen e ambientit.

Në vitin e kaluar edhe aktivisti ambiental, Adriatik Gacaferi është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet se ka dëmtuar reputacionin me një publikim në facebook ku ai ka treguar për pasojat e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

“KelKos Energy” ka ndertuar tri hidrocentrale në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi II’, ‘Belaja’, ‘Deçani’.

KelKos po ashtu kishte blerë edhe hidrocentralin “Lumbardhi”, i cili më parë ka qenë hidrocentral funksional në Grykën e Deçanit.

KelKos-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji ZRrE i kishte dhënë licencë 40 vjeçare për prodhim të energjisë.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.