Padia e KELKOS për aktivistin Gacaferi, mbrojtja kërkon nga Gjykata refuzimin e padisë

Aktivisti ambiental, Adriatik Gacaferi është paditur nga kompania KELKOS Energy me pretendimet se ka dëmtuar reputacionin me një publikim në Facebook ku ai ka treguar për pasojat e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

Sot, Gacaferi së bashku me avokaten Rina Kika kanë dërguar në Gjykatën e Pejës, dega në Deçan, përgjigjen për padinë ku kanë kërkuar refuzimin e padisë, pasi sipas tyre mbrohet me Lirinë e Shprehjes.

Gacaferi thotë se nuk është penduar se e ka bërë publikimin, vetëm se padinë nuk e konsideron personale por padi për të gjithë aktivistët që e mbrojnë natyrën.

“Me datën 9 korrik 2020 jam njoftuar se jam paditur nga KELKOS Energy që ka ndërtuar hidrocentrale ne Deçan përmes përfaqësuesit Arianit Koci. KELKOS më ka paditur mua për një status që e kam publikuar që e ka lënë pa ujë e sipas tyre unë ju kam dëmtuar reputacionin. Nuk e konsideroj si padi për mua, por për secilin qytetar që e mbron natyrën. Padia ndaj meje është padi ndaj të gjithë aktivistëve të të ambienti. Unë nuk jam penduar që e kam publikuar sepse është ajo çka kam parë, njëjtë do të veproj edhe më tutje sepse e kemi lirinë e shprehjes dhe na garanton kushtetuta secilit qytetar të Kosovës”, tha Gacaferi në konferencë.

Avokatja Rina Kika, e cila do ta përfaqësojë aktivistin Gacaferi në këtë rast ka thënë se ata kanë dërguar sot përgjigjen në padi ku kanë kërkuar refuzimin e padisë si të pabazuar.

“Postimi i Adriatikut është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, e cila ju garantohet me kushtetutë qytetarëve. Ne e kemi dërguar sot përgjigjen për padinë në Gjykatën e Pejës, dega në Deçan. Meqenëse publikimi mbrohet me lirinë e shprehjes i kemi kërkuar Gjykatës ta hedh poshtë padinë. Nëse Gjykata nuk e hedh poshtë padinë ne do të bëjmë ankesë në Apel dhe do ti ndjekim të gjitha procedurat ligjore”, është deklaruar Kika.

Aktivisti Gacaferi është paditur nga KELKOS Energy për dëmtim të reputacionit dhe si dëmshpërblim ka kërkuar 10 mijë euro.

Kjo kompani ka katër hidrocentrale operative në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi’, ‘Belaja’, ‘Deçani’ dhe ‘Lumbardhi II’, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është treguar i pajisur me licencë të operimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë.

BIRN ka zbuluar se gjykata e Prishtinës vjetërsoj njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie

Me 18 korrik 2016 Inspektorati i Komunës së Deçanit kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtësve ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektorati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Sipas këtij raporti inspektoret kishin parë në teren se portat e turbinave kanë qenë të mbyllura dhe vetëm disa pjesë kanë qenë të furnizuara me ujë nga rrjedhat anësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ruajtjen e diversitetit të florës dhe faunës.

Ndërsa në raportin e Inspektorëve komunal thuhet se në marrëveshjen në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe “KELKOS KOMPANY SHPK”, ishte paraparë që 30 për qind e minimumit të rrjedhjes së ujit të qëndron në shtratin e lumit e jo të mbetej lumi pa ujë. Dosja e inspektoratit ishte bartur në gjykatë me kërkesën që kompania të ndëshkohej me 50 deri në 100 mijë euro.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale