Pacolli viziton Thaçin, Veselin dhe Selimin në Hagë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

Së bashku me zyrtarin tjetër të AKR-së, Jetlir Zyberin, Pacolli ka thënë se ka vizituar për pak kohë edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, të cilët po ashtu gjenden në paraburgim në Hagë.

Ai ka treguar se ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së që po mbahen në paraburgim nuk kanë mundur t’i takojnë.

“Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me presidentin Thaçi. Si mik i tij, por edhe si Kosovë, jam i bindur se sot në paraburgim (bashkë me të tjerët), është njeriu që udhëhoqi luftën për çlirimin e vendit, ai  ishte personi kyç në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Pacolli ka thënë se në Hagë, Thaçi bashkë me të tjerët janë duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan Kosovën të lirë dhe të pavarur.

Kryetari i AKR-së ka thënë se Kosova duhet të marrë Kroacinë shembull se si i mbron luftëtarët e saj.

“…dhe të mos e kthejë urrejtjen politike ndaj individëve në urrejtje ndaj së kaluarës sonë, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, për të rishkruar historinë. Dhe historinë e kanë shkruar edhe ata që sot janë në Hagë dhe shumë të tjerë në Kosovë, por me logjikën e sotme pavetëdijshëm po bëheni aleat i Beogradit në luftën kundër UÇK -së”, ka përfunduar Pacolli.

Sipas tij, është momenti i fundit që Kosova të marrë përgjegjësinë dhe të mbrohet historia, luftëtarët e lirisë dhe e ardhmja e Kosovës.

“Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, ka shtuar ai.

Aktakuza ndaj katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët, nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme. Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë netë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë. Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë.

Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar dhe vrarë. Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë ka përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar, gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtarët e UÇK-së.
Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës.

Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci. Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërpërmendura sipas prokurorit të specializuar është përgjegjësia komanduese.