Behgjet Pacolli I Foto: MPJ

Pacolli uron Kurtin e Osmanin për rezultatin në zgjedhjet e 6 tetorit

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, partia e të cilit në zgjedhjet e 6 tetorit garoi në koalicion me NISMA-n dhe Partinë e Drejtësisë ka shkruar sot se në zgjedhjet e djeshme sovrani ka dhënë fjalën e tij.

Pacolli ka shkruar se e përgëzon Albin Kurtin, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve të djeshme.

Postimi i plotë I Behgjet Pacollit:

Bashkudhëtaret e mi dhe unë e ndoqëm me interes numërimin e votave.

Sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë.

Është për t`u përgëzuar populli i Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi.

Urime për udhëheqësit e Opozitës që me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë.

Përgëzoj zotni Albin Kurti për integritetin e tij politik dhe zonjën Osmani që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste.

Procesi është në përmbyllje e sipër dhe duhet poashtu të kemi durim që institucionet e numërimit dhe legjitimimit të votave të japin verdiktin përfundimtar, pa presione triumfaliste apo të dëshpërimit.

Është krejt e qartë, se pakënaqësia popullore e krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar favorizoi ardhjen në pushtet të forcave të opozitës.

Më gëzon fakti për ardhjen e rinisë në krye të institucioneve, atë që e kam dashur më së shumti.

Vullneti për ndryshim fitoi.

Ne duhet të mbajmë shënim këtë vullnet popullor.

Tani duhet mbi të gjitha t’i tregohet miqve tanë perëndimorë se orientimi pro-Atlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe ai vetëm do të forcohet.

Miqtë perëndimorë, poashtu, tani të mbajnë shënim rezultatin dhe të hedhin hapin e parë të shumëpritur për popullin e Kosovës-

Punë të mbarë qeverisë së re!