Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE
Pacolli uron Kurtin dhe ia numëron sfidat që e presin Qeverinë
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe deputeti Behgjet Pacolli, e ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur Albin Kurti.
Pacolli ka thënë se ka besim të plotë se Qeveria e Albin Kurtit bazohet në shtet, pluralizëm dhe demokraci që siguron vazhdimin e orientimit pro-perëndimor të Kosovës.
Deputeti i sapozgjedhur i ka numëruar edhe sfidat të cilat e presin Qeverinë Kurti 2.
“Kjo qeveri ka shumë sfida përpara, nga pandemia, recesioni ekonomik, arsimi, politika e jashtme dhe nevoja për të ndërmarrë reformat e nevojshme që sigurojnë investime për të ardhur në Kosovë dhe për të krijuar vende të reja pune”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Pacolli ka deklaruar se do ta mbështesin qeverinë kur ajo bën një punë të mirë dhe do të luajnë rol dinamik në të gjitha fushat jashtë Kuvendit por edhe nga opozita.
“Të gjitha të mirat dhe shpresojmë që ky vend të bëhet më mirë se sa është. Unë do të jap kontributin tim personal në këtë drejtim, gjithnjë në shërbim të qytetarëve të Republikës”, ka përfunduar Pacolli.
Sot, ish-kryeministri Avdullah Hoti ia ka dorëzuar detyrën kryeministrit të ri, Albin Kurti, një ditë pas votimit të Qeverisë Kurti 2 në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Behgjet Pacolli ka marrë 11,645 vota. Ai do të jetë deputeti i vetëm i AKR-së në Kuvendin e Kosovës në kuadër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.