Foto: Facebook, Fitore Pacolli

Pacolli: Të ndërpritet shqiptimi i dënimeve dhe vendosja e bllokadave nga "Prishtina Parking"

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim bashkë me deputetin Salih Zyba kanë takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Pacolli përmes një postimi në “Facebook” njofton se nga kryetari ka kërkuar të ndërpritet shqiptimi i dënimeve, vendosja e bllokadave dhe konfiskimi i veturave nga “Prishtina Parking”.

“Ne kërkuam që urgjentisht të ndërpritet  shfrytëzimi i hapësirave rezidenciale për përfitim të shumëfisht. Prishtina Parking përfiton pagesë nga banorët rezidencial dhe në të njëjtën kohë i lëshon ato për shfrytëzim për ata jorezedencial. Parking Prishtina në mënyrë të jashtëligjshme përfiton nga të dy palët”, njofton Pacolli.

Sipas saj, ndërmarrja “Prishtina Parking” po shkel të drejtat e qytetarëve në baza ditore përmes veprimeve të jashtëligjshme.

Pacolli njofton se kryetari ka pranuar kërkesat dhe ka premtuar se shqetësimet e qytetarëve do të adresohen.