Pacolli takon emisarin amerikan: Dialogu, mundësi për ta mbyllur kapitullin e errët Kosovë- Serbi

Ministri në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar të Dërguarin e Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në Forumin e Bled-it.

Pacolli në Facebook ka bërë të ditur se e ka përgëzuar Palmer për emërimin e tij dhe siç ka shkruar ai, Palmer si një mik i vjetër i Kosovës në këtë pozicion të ri, do të vazhdojë të mbështesë vendin në të gjitha nivelet.

“Ne e shohim dialogun si një proces të rëndësishëm që ka një mundësi për të mbyllur kapitullin e errët midis Kosovës dhe Serbisë.  Normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë është qëllimi i vetëm, asgjë me pak, dhe vlerësojmë pozicionin e fuqishëm të Uashingtonit për ketë synim”, thuhet në shkrimin e tij.

Sipas Pacollit, edhe ShBA-ja mund të llogarisë në Kosovën.

“Kosova mund të llogarisë si gjithmonë në ShBA, por edhe ShBA duhet të llogarisë tek ne, si partnerë të përkushtuar dhe të besueshëm”, ka shkruar ministri në dorëheqje.