Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli: Ta respektojmë vendimin e Kushtetueses, ashtu siç kam bërë unë

Ish presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme që i ka pamundësuar disa kandidatëve të jenë pjesë e garës zgjedhore, përfshirë edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pacolli në Kallxo Pernime tha se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur edhe dorëheqjen e tij nga posti i presidentit, kur Kushtetuesja kishte gjetur si zgjedhja e tij si president ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ne duhet ta dimë secili, që t’i nënshtrohemi ligjit në Kosovë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është diçka që pa asnjë koment, duhet të respektohet. Po e them këtë, sepse vet e kam bërë. në momentin e parë që kam dëgjuar se ka një vendim për mua, unë jam larguar nga zyra. Pres që njerëzit që duan Kosovën, që synojnë të jetë prijës politikisht, duhet t’i nënshtrohen këtij vendimi”, tha Pacolli në Kallxo Pernime.

Ai ka komentuar edhe mundësinë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë i influencuar nga politika kosovare.

“Nuk i njoh gjykatësit e gjykatës kushtetuese dhe nuk e njoh ndërlidhjet e tyre me liderët partiak. Nuk e di si mund ata influencohen. Por a është e mundur të influencohen, por në Kosovë gjithçka ka qenë e mundur dhe mund të ndodhë edhe kjo. Por mund të ndodhë që të mos jenë influencuar fare”, tha në mes tjerash Pacolli.