Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli: Shteti Komoret nuk e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjt Pacolli, ka thënë se shteti i Komoreve vazhdon ta njohë Kosovën, pavarësisht “‘propagandës parapolitike serbe”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka paraqitur letrën të cilën ia ka dërguar ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti.

“Kam pranuar një letër nga ministri i Punëve të Jashtme të Komoreve, i cili më siguron se njohja e lidhur njëherë mes nesh, vazhdon e paprekur dhe e shëndoshë, si atëherë kur e arritëm. Pas lobimit intensiv dhe udhëtimeve të shumta, kishim arritur që ta sigurojmë njohjen nga Komoret. Propaganda parapolitike serbe kishte tentuar shumë që të ndikojë në këtë shtet që ta tërheqë njohjen dhe ta zhbëjë punën tonë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Deri më tani sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 117 vende.

Ndërsa ditë më parë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me Izraelin.