Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Serbia ka vetëm një opsion, ai është dialogu me Kosovën

Zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka komentuar procesin e dialogut me Serbinë duke thënë se ka ardhur koha që të ndërmerren hapa përfundimtarë rreth kësaj çështje.

Përmes rrjetit social Facebook, Pacolli ka shkruar se ‘është koha që Serbia të ulet në tryezën e dialogut, sepse ka shkuar shumë larg me gishtin e fajësisë’.

“Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar dhe vënë një kusht të paqes në rajon që është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Serbia nuk ka nevojë për armë dhe bashkëpunim ushtarak me Rusinë, sepse opsioni i vetëm që Serbia ka është opsioni i dialogut, njohjes së shtetit të ri, Kosovës dhe rregullimit të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës”, ka shkruar ai.

Tutje Pacolli ka thënë se pozita e Kosovës nuk mund të dobësohet nga ana e Serbisë, duke bojkotuar dialogun.

“Dialogu duhet të rifillojë sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe plagët e shkaktuara në dëm të popullatës shqiptare nga pushteti serb nuk do të shërohen kurrë.”, ka shtuar Pacolli.

Behgjet Pacolli në Facebook